Asamblistja e Gjakovës dënohet për mosraportim të pasurisë
Gjykata e Gjakovës ka dënuar me 400 euro gjobë, asamblisten nga rradha e Alternativës, Drita Zhaveli, për vonesë në raportim të pasurisë.
Asaj i’u caktua edhe pagesa prej 60 eurove për shpenzime procedurale.
Prokuroria pretendon se Drita Zhaveli, në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka kryer obligimin e saj për deklarimin e pasurisë së saj në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.
Asambleistja nga radhët e Alternativës, Drita Zhaveli, pranoi akuzën që i ngarkon Prokuroria e Gjakovës për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës, në periudhën kohore 1 mars deri më 31 mars 2019, Drita Zhaveli në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale në Gjakovë, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt në afatin e paraparë ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.
Në aktakuzë thuhet se ky obligim është i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik dhe vonesa ka ndodhur edhe përkundër faktit se e njëjta ka qenë e informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.