Asamblistit të LVV-së i përmenden raportimet për përfshirjen në rastin 'Brezovica', ai i quan shpifje

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës para disa minutash ka pasur një diskutim mes asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Leutrim Retkoceri dhe asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Lahu.

Kjo pasi asamblisti i PDK-së teksa po diskutohej pika për subvencionimin e kompanisë “Pastrimi” i’a përmend asamblistit Lahu disa raportime në media për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica”. Lahu parapakisht kishte folur për këtë në rend të ditës duke kërkuar shkarkim e menaxhimentit të ri të kompanisë “Pastrimi”.

Asamblisti Leutrim Retkoceri i tha asamblistit Lahu që para se të flas për pastrimin e qytetit të Prishtinës, të flet për “procesin e tij gjyqësor”.

“Berat Lahu para se të flas për pastërtinë e Prishtinës, duhet të flet njëherë për pastërtinë e tij në lidhje me procesin gjyqësor dhe si i ikur nga drejtësia. Para se me fol për mbeturina ju duhet me fol për akuzën të cilën tash e disa ditë qarkullon në media që je i përfshirë në rastin “Brezovica” dhe akuzohesh për keqpërdorim në pozitën që e ke pas. Është mirë me sqaru, se për me e ngrit një çështje tjetër duhet me qenë i pastër me vetën. Në 2017-ën ka qenë një bord dhe disa aksionarë të cilët janë zgjedhur në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë rast duhet t’i bëni mirë këto llogari dhe të flisni. Kur t’i dëgjojmë këto përgjigje është koha për të diskutuar se a dëshironi me pa Prishtinën më të pastër”, tha Retkoceri.

Asamblisti Berat Lahu replikoi duke i quajtur shpifje raportimet se ka pasur arrestim të tij, bastisje të shtëpisë dhe që gjendet në arrati. E mediat që raportuan kësisoji i quajti ‘grupe të caktuara kriminale’.

Lahu deklaroi se ato momente ka qenë në trajtim mjekësor në Belgjikë.

“Vetëvendosje ka 15 vite ekzistencë dhe çiftin e sojit tand dhe të mediave që quhen, janë organe propaganistike të partive të caktuara të grupeve të caktuara kriminale, e për fat të keq shumë prej tyre kanë qenë të tilla. Ka dalë në media, pa ditë unë hiç, e kam marrë vesh prej mediave. Ky është zakoni në Kosovë, që dikush njoftohet përmes mediave që qenka duke u kërkuar prej policisë ose edhe që qenka arrestu. Berat Lahu në momentin kur e ka pa këtë lajm, ka qenë në Belgjikë”, u shpreh Lahu.

“S’ka pas mundësi teorike, sado që jeni të tillë e keni kap shtetin. Është shpifë prej plotë mediave që kanë shpif kanë me u përball me padi. Ka qenë shpifje arrestimi edhe ajo që m`u ka bastis shtëpia, e shpifje u kanë edhe ai lajmi që unë jam në arrati. Unë i kam njoftu të gjitha organet në Kosovë, unë jam në trajtim mjekësor gjendem në spital e kam të pamundur më qenë në Kosovë ta keni parasysh që deri më datën 20 prill nuk jam aty. Unë e kuptoj që ti shpif se jeni mësu me atë, por duhet me u mësu me u përball me pasojat”, deklaroi tutje asamblisti i LVV-së.

Pas kësaj, asamblistit të PDK-së nuk iu dha mundësia e replikimit dhe si rrjedhojë gjithë grupi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lëshuan sallën e kuvendit komunal në shenjë revolte.

Disa zyrtarë janë arrestuar nga disa aksione të Prokurorisë në Ferizaj lidhur me rastin “Brezovica”. Të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dosja Brezovica: Policia i troket në derë asamblistit të Vetëvendosjes