Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblisti i Vetëvendosjes në Vushtrri thotë se Xhafer Tahiri e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta sulmojë

Asamblisti i Vetëvendosjes në Komunën e Vushtrrisë, Ymer Haradinaj, po pretendon se kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta sulmojë fizikisht, gjatë mbrëmjes së maturës të një shkolle në Vushtrri.

Në një prononcim përmes telefonit për KALLXO.com, Haradinaj ka thënë se mbrëmë e shkolla e mesme profesionale në Vushtrri, në të cilën është profesor, e ka pasur mbrëmjen e maturës.

Sipas tij, në këtë mbrëmje ka shkuar edhe kryetari Tahiri, e që në atë moment ka ndodhur incidenti.

“Unë kam qenë në tavolinë me disa shokë dhe pastaj ka ardhur kryetari, edhe pasi që është përshëndet, edhe i kam thënë kryetar pasi e kemi një lëndë, këqyrni punën e juaj se unë po du mu kënaqë, edhe nuk kam deshtë me u përshëndet me të. Pastaj, më ka fyer dhe më ka kërcënuar, duke thënë ta ‘çkyj gojën’, tha ki me pa kush jam unë, e ka marr një shishe fillimisht me të cilën ka dashtë me më gjujt, dhe pastaj me më sulmu, por kanë ndërhyrë kolegët aty”, ka pretenduar Haradinaj.

Sipas tij, rasti është paraqitur edhe në Policinë e Kosovës.

“Unë e kam njoftuar drejtorin dhe pastaj edhe policinë.  Kanë ardhur policia pastaj pas mesnatës unë dhe tre mësimdhënës jemi intervistu nga policia”, ka thënë Haradinaj.

KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim prej kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.