Asamblisti i PDK-së: Askush nuk mund të punësohet në Lipjan pa miratimin e kryetarit Ahmeti
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan, Arsim Jashari e ka quajtur injorim ndaj qytetarëve mos-praninë e kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti në debatin “Jeta në Komunë”.
Në “Jeta në Komunë” në Lipjan ka qenë i ftuar edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti por i njëjti nuk ka pranuar të marrë pjesë.
Të njëjtit i është kërkuar që të delegojë nënkryetarin apo dhe drejtorët e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve të asamblistëve, por as kjo nuk ka ndodhur.
“Kjo është injorim ndaj qytetarëve, por është lodhë, e ka privatizu komunën mendon që mundet të bëjë çka të dojë”- tha asamblisti Jashari.
Ai ka shtuar se në Lipjan “askush nuk mund të punësohet pa miratimin e kryetarit Ahmeti”, ndërsa ai ka pretenduar edhe për punësime politike.
“Premtimi bazë ka qenë barazia në punësim çdo punësim në Lipjan bëhet me direktivën e tij. Askush nuk mund të punësohet pa pëlqimin dhe miratimin e kryetarit”- thotë Jashari.
“Ka punësuar asamblistë. E ka punësuar asamblistin e LDK, Fitim Shala, stomatolog në Magurë. Ka punësu të fejuarën e kryetari të rinisë. E ka punësuar ish-asamblistin, në sallën e sporteve, i cili pasi u përuru salla, në të njëjtën ditë ka dalë jashtë funksionit po atë ditë dhe ai ka marrë pagë për një vit. Kryetarin e Degës së LDK-së e ka punësu në arsim. 90% të drejtorëve të shkollave janë politik. E kemi një rast që në një shkollë janë 4 familjarë të punësuar. Arsimi është degraduar në Lipjan” – ka vazhduar asamblisti i PDK-së, Arsim Jashari.
Kurse asamblistja tjetër e PDK-së në Lipjan, Lumturije Bytyqi Hasani e ka quajtur gabim të madh të Komunës së Lipjanit ndërtimin e nënkalimit në këtë komunë në kuadër të projektit “ndërtimi i nënkalimit, ndërtimi i sheshit, parkut qendror dhe parkingut nëntokësor”.
Bytyqi Hasani thotë se projekti fillimisht ka qenë për ndërtimin e një nënkalimit për këmbësor dhe më pas është ndryshuar në nënkalim për vetura.
“… E ka ndryshu në vend të nënkalimit për këmbësor e ka bërë për vetura, unë mendoj që është gabimi më i madh i komunës sepse është prish një rrugë me katër korsi që ka kushtu miliona euro dhe ka qenë mjaft funksionale. Dhe për teke të kryetarit tash ajo rrugë është prish. Ka qenë një ndryshim i asaj që e ka premtu nuk mendoj që është dashtë me u prish një rrugë që ka kushtu 2 milionë euro”- ka thënë ajo.
Asamblistja Bytyqi Hasani e ka quajtur”paradoks” ndërtimin e QKMF në Lipjan dhe njëkohësisht renovimin e më pas rrëzimin e objekteve të Pulmologjisë, Stomatologjisë e Martenitetit.
“Ka premtu qendren emergjente. Por nuk e ka ditë që me ligj nuk i lejohet Lipjanit kjo. Në vitin 2020 qindra mijëra euro në objektin e martenitetit, në vitin 2021 në objektin e Pulomologjisë, në vitin 2022 qindra-mijëra euro në objektin e Stomatologjisë. E në vitin 2023 i ka çu bagerat i ka prishë për ndërtimin e QKMF” – ka thënë ajo.