
Asamblisti i LVV-së Sveçla: Ish-asamblisti i LDK-së pritet të zgjidhet kryeshef i ‘Prishtina Parking’
Asamblisti i Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka thënë se ish-asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prishtinë, Sokol Havolli, pritet të zgjidhet kryeshef i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.
Në emisionin ‘Prime’ të RTK-së, Sveçla duke aluduar në emërime politike, tha se Havolli pritet të zgjidhet në atë pozitë.
“Para një jave asamblisti i LDK-së Fisnik Osmani është emëruar kryeshef i ‘Termokos’-it. Nuk po flas për anën profesioniste të tij. A t’i kallxoj edhe dy emra të tjerë që kanë me u zgjedh, në konkursin e ‘Prishtina Parking’, Sokol Havolli pritet të zgjidhet…” – ka thënë ndër të tjera asamblisti Sveçla.
KALLXO.com ka kontaktuar me Sokol Havollin për ta pyetur në lidhje me deklaratën e Sveçlës, por ai nuk ka pranuar ta komentojë.
“Unë as nuk e njoh atë asamblistin, edhe për këtë arsye nuk po du me komentu deklarata të njerëzve që nuk i njoh. A konkurroj apo jo në atë pozitë, është punë e imja, por nuk po du me komentu një deklaratë të një personi që nuk e njoh” – ka thënë Havolli përmes telefonit.
Havolli ka qenë zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), ndërsa më 30 gusht të këtij viti ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Kurse konkursi për pozitën e kryeshefit të ‘Prishtina Parking’ është hapur më 16 shtator 2022, pasi që javë më parë Liridon Restelica kishte dhënë dorëheqje.