Asfalti i dëmtuar nga shiu FOTO-Komuna e Malishevës

Asamblisti i LVV-së: Rruga e shkatërruar dje u tenderua dhe u mbikëqyr nga Komuna e Malishevës

Dëmtimi i rrugës që lidh fshatin Rud të Malishevës dhe Sferkë të Klinës ka ngjallur reagime të shumta në opinion.

Derisa Komuna e Malishevës dje në një prononcim për KALLXO.com tha se rruga në fjalë është në territorin e komunës së Klinës dhe se Komuna e Malishevës ka participuar me 40 mijë euro për ndërtimin e saj, Komuna e Klinës ka thënë se procedurat tenderuese  dhe të financimit për rrugën e dëmtuar dje i kanë bërë Komuna e Malishevës dhe Ministria e Infrastrukturës.

Mirëpo, përpjekjen e Komunës së Malishevës për ta shfajësuar veten për rrugën dhe për t’ia vënë përgjegjësinë Ministrisë së Infrastrukturës po e konteston asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Malishevës, Alban Krasniqi.

Krasniqi ka publikuar në profilin e tij në Facebook dokumente, të cilat sipas tij dëshmojnë se rruga Rud-Sferkë u tenderua dhe u mbikëqyr nga Komuna e Malishevës.

“Pra, kjo rrugë është tenderuar dhe mbikëqyrur nga komune e Malishevës, kurse mjetet janë ndarë nga niveli qendror”, ka shkruar Krasniqi, i cili postimit të tij ia ka bashkëngjitur dokumentet e nxjerra nga e-prokurimi.