Asamblisti i LVV-së: Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga 'Sunny Hill' përveç nëse në pyetje është ndonjë pazar

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla ka deklaruar se duhet mirëpritur “heqja dorë” e Sunny Hill nga insistimi që t’i jepet për 99 vjet me qira prona në lokacionin në Bërnicë të Poshtme.

Sveçla ka thënë se krahas kësaj, nuk ka arsye që Prishtina të braktiset nga ky festival.

“Duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë. Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Në muajin maj Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite. Vendimi i dërgohej Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësim.

Kundër ishin shprehur asamblistët opozitarë – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR).

Sepse, sipas tyre, 99 vite janë shumë për t’i dhënë në shfrytëzim një festivali një pronë që nuk mund ta shfrytëzojnë festivalet tjera kryeqytetase.

Festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë.

Kjo pasi sipas organizatorëve të këtij festivali, ka pasur vonesa të shumta administrative për lokacionin e duke shkaktuar vonesa edhe në organizimin e saj në datat e caktuar. Në Tiranë do të mbahet më datat e parashikuara nga fillimi, 4-7 gusht.

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, ka reaguar pasi festivali “SunnyHill” nuk do të mbahet në kryeqytet.

Rama ka thënë se kjo është shkaktuar “kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë”, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.

Sipas tij, dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.