Asamblisti i LVV-së ngre padi ndaj Shpend Ahmetit

Asamblisti i Kuvendi Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, tre ditë më parë pati deklaruar se është kërcënuar nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, ku po diskutohej buxheti.

Nga dokumenti i siguruar nga KALLXO.com, Azemi ka njoftuar se e ka paditur për shpifje kryetarin Ahmeti, pasi që ky i fundit pati deklaruar se Azemi ka shkuar duke qarë në komunë për të punësuar një familjar të tij.

Asamblisti pretendimin e tij për kërcënimin nga Kryetari Ahmeti e pati bërë të ditur përmes një shkrimi në facebook.

“Në Prishtinë sot po mbahet Seanca për Buxhetin. U kërcënova nga Shpend Ahmeti e më ftoi të dalë jashtë. I falënderoj të gjithë asamblistët dhe stafin e Kuvendit që më këshillonin të mos dalë. Por kur dola, ai s’ishte aty. I strukur si gjithmonë por tash i irrituar, sepse po i arrestohen inspektorët për korrupsion dhe po i përfundon mandati”, pati shkruar Azemi

Ndërsa, në anën tjetër Ahmeti iu kundërpërgjigj duke thënë se ka dashur vetëm të viktimizohet.

“Më kujtohet në VV kur asambleistit në fjalë i jepnin detyra për të provokuar të tjerët, në mënyrë që ta sulmojnë dhe pastaj të ketë viktimizim. Do të ja tregoj edhe rastet konkrete.  Por nuk munden at recept ta përdorin tek ne”, thuhet në publikimin e tij.

Shpend Ahmeti flet sërish për përplasjen me asambleistin e Vetëvendosjes