Berat Ganiqi, Asamblist nga radhët e LVV-së në Pejë. Foto: Facebook

Asamblisti i LVV-së në Pejë kërkon që kafiteria 'Panda' të shndërrohet në muze

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Pejës, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Ganiqi ka kërkuar që një nga kafiteritë e këtij qyteti të kthehet në muze.

Bëhet fjalë për kafiterinë “Panda” që sipas Ganiqit do duhej të quhej “Muzeu i së vërtetës”.

Ganiqi ka kërkuar nga Komuna e Pejës, nga kryetari Gazmend Muhaxheri dhe nga Kuvendin Komunal që të marrin masa dhe objektin e kaifterisë “Panda” ta shpronësojnë, ta marrin në posedim dhe ta shndërrojnë në muze.

Sipas Ganiqit, në këtë kafiteri më 14 dhjetor të 1998 janë vrarë gjashtë të rinj serb nga vet sigurimi serb.

Tutje ai ka thënë se pas vrasjes së këtyre të rinjve, forcat e regjimit serb kanë arrestuar e maltretuar dhjetëra shqiptarë.

“Në këtë muze do të përshkruhen qartë trillimet e shtetit serb dhe maltretimet e shqiptarëve në emër të një krimi që e kishin bërë vet serbët”, ka thënë ai.

Sipas Ganiqit, në këtë kafiteri dhunë fizike e psiqike kanë pësuar Vllaznim Pergjegjaj, Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxha dhe Behar Bajri.

Këtij të fundit, Ganiqi ka thënë se forcat e regjimit serb i kanë lënë pasoja të përhershme në shëndetin e tij.

“Kafiteria ‘Panda’ është turpi dhe gënjeshtra më e madhe serbe, ndërsa për shqiptarët simbolizon dhunën dhe maltretimin, dhe për Beharin pikërisht kjo histori e trilluar e la me probleme për gjithë jetën”, tha ndër të tjera asamblisti i LVV-së.

Sipas Ganiqit, disa vite pasi ka ndodhur ngjarja prokurori i atëhershëm i Pejës, Vojsllav Shoshkiq i transferuar në Prokurorinë për Krime të Luftës kishte deklaruar se nuk ka ekzistuar asnjëherë ndonjë lëndë në lidhje me rastin “Panda” në prokurorinë e atëhershme të Pejës apo në atë të Serbisë të pasluftës.

“Sipas disa raporteve thuhet se me të njëjtën armë që janë vrarë të rinjtë serb, dyshohet se një muaj më herët para vrasjes së tyre, në nëntor të 1998 është vrarë edhe doktori i njohur nga Peja, Nuredin Zejnullahu, ndërsa me po të njëjtën armë dyshohet të jetë vrarë në vitin 2008 edhe një polic ukrainas”, tha tutje Ganiqi.

Ai po ashtu shtoi se edhe presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kishte deklaruar se mbrapa vrasjes të së rinjve serb nuk qëndrojnë shqiptarët.

 

Misteri i masakrës në kafenenë ‘Panda” në Pejë, i pazgjidhur edhe pas 20 vjetësh