Asamblisti i LVV-së në Gjilan nuk pranon të deklarohet rreth raportimeve se u përfshi në një rrahje

Disa media në Kosovë sot kanë shkruar se asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Valdrin Bajrami, gjatë të shtunës, më 25 qershor, është përfshirë në një rrahje në një lokal të Gjilanit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Bajrami nuk ka pranuar të deklarohet rreth rastit, duke thënë se me çështjen do të merret avokati i tij.

“Nuk mundem, avokati më ka thënë të mos deklarohem. Shumë shpejt përfundon gjithçka dhe mirret vesh çka ka ndodhur”, ka thënë shkurtimisht Bajrami përmes telefonit.

Në ndërkohë, Policia e Kosovës për KALLXO.com ka  konfirmuar se një rrahje ka ndodhur të shtunën në një lokal të Gjilanit.

Nga Zyra për media të Policisë për rajonin e Gjilanit kanë thënë se për rastin në fjalë janë intervistuar tre të dyshuar.

“Në një kafiteri në Gjilan ka ndodhur një rrahje në mes të disa personave të dyshuar ku lëndime trupore kanë pësuar katër prej tyre,  dy meshkuj dhe dy femra, të cilët  kanë pranuar tretman mjekësor në Emergjencë. Në këtë rast si te dyshuar në rrahje janë tre të dyshuarit, të cilët pas intervistës janë liruar në procedurë të rregullt”, kanë thënë për KALLXO.com nga Policia.