Ruzhdi Jashari, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asamblisti i LVV-së flet për dhjetëra tenderët që fitoi nipi i tij në Komunën e Shtimes

54 tenderë i janë dhënë për një periudhë katërvjeçare nga Komuna eë Shtimes kompanisë “Ardhmëria”, e cila është në emër të Dashnim Jasharit nga Shtimja.

Ky i fundit është nipi i ish-kryetarit të Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, ndërsa në zgjedhjet e fundit ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës.

Në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës sonte është kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli së bashku me asamblistët e kësaj Komune.

Pas sqarimit të Ismajlit se pse kompania “Ardhmëria” ka fituar dhjetëra tenderë në një kohë prej katër vitesh, me këtë çështje u përball edhe axha i pronarit të kompanisë, Ruzhdi Jashari.

“Nëse ka përgjegjësi, është e vërtetë që është nip i imi, unë që 23 vite jetoj ndaras nëse do ta jap firmën që djali im ka firmë të veten edhe në asnjë punë as nënkontraktor nuk është kurrë. E vërteta është, ai i mban 40 punëtorë. E padrejtë është nëse ia jep (tenderët) në mënyrë të padrejtë”, tha Jashari.

Edhe sipas Jasharit, për dhënien e shumë tenderëve një kompanie të caktuar, kryetari duhet të jap përgjegjësi.

“A ja jep tenderët në mënyrë të drejtë Dashnim Jasharit?”, ishte pyetja e Jeta Xharrës.

“Sipas mendimit tim, dhënia e shumë tenderëve një firme atëherë duhet me lidh kryetarin me përgjegjësi. Nipi e ka firmën që 18 vite prej Sllovenisë, nuk është që është pasuru tash dhe nuk ka pasuri sa ka kryetari”, tha Jashari tutje.

 

Komuna e Shtimes vetëm në vitin 2020 i ka dhënë kompanisë ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit, 10 tenderë, katër prej të cilave janë për punë shtesë. Në total kjo kompani që nga viti 2016 e deri më sot ka marrë 54 tenderë nga e njëjta Komunë.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari Naim Ismajli në debatin “Jeta në Komunë” e arsyetoi dhënien e tenderëve një kompanie të vetme siç është ajo “Ardhmëria”.

Kompania ‘Ardhmëria’ vetëm për periudhën qershor- dhjetor 2019, pra për shtatë muaj ka fituar 16 tenderë nga komuna e Shtimes. Ndërsa në periudhat korrik- tetor të këtij viti e njëjta kompani ka fituar edhe 10 tenderë të tjerë, katër nga to për punë shtesë.