Asamblisti i LVV kritikon Përparim Ramën që festoi me 'Dritën', kryetari i thotë se i ka dajtë në Gjilan (VIDEO)

Teksa të gjitha grupet përfaqësuese në Kuvendin Komunal të Prishtinës po deklaroheshin lidhur me vendimin për subvencionimin e disa klubeve sportive të kryeqytetit, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje Ermal Osmani, pati një kritikë drejtuar kryetarit Përparim Rama.

Asamblisti Ermal Osmani e kritikoi Ramën që kishte festuar me ekipin e vajzave në volejboll nga Gjilani, “Drita”. Sepse sipas tij, kuvendi po subvencionon ekipet e Prishtinës për t’i mposhtur ato nga komunat tjera.

“Fjalën e mora që me ia tërheq vërejtjen kryetarit që mos të festojë me ekipet e qyteteve të tjera sepse sot po ndahen subvencione për ekipet e Prishtinës për me i mundë qato ekipe që ju po festoni me ta. Nuk jam për me i urrejtë por jam kundër me dalë në foto në qaste festime e sidomos me dalë i shtrirë në parket thu ti je kapiten i atij ekipi”, tha Osmani.

Kryetari Përparim Rama u përgjigj duke thënë se klubi i volejbollit “Drita” ku u zgjodh edhe kampion, nuk ishte duke luajtur kundër Prishtinës. Teksa u arsyetua se i ka dajtë në Gjilan.

“Siç e dini unë jam kryetari i kryeqytetit të Kosovës edhe ata janë pjesë e jona. Nuk kanë luajtur kundër Prishtinës. Edhe i kam dajtë prej Gilanit, s’bonë më jau prish dajve. Me Prishtinën në zemër e gjithmonë”, tha Rama.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mori vendim për subvencionimin e klubeve të basketbollit, hendbollit dhe volejbollit në Prishtinë.