Asamblisti i LVV kritikon Komunën e Shtimes pas demolimit të Qendrës Rinore

Gjatë ditës së sotme Komuna e Shtimes ka njoftuar se Qendra Rinore në këtë komunë është demoluar nga persona deri më tani të panjohur.

Madje në njoftim Komuna kishte kërkuar zbardhjen e rastit dhe që kryerësit e veprës të dalin para drejtësisë për dëmtim të pronës publike.

“Keqbërësit përmes këtyre akteve të tilla të vandalizmit po tentojnë të pengojnë rrugëtimin tonë drejt një shoqërie të civilizuar mirëpo ne jemi të vendosur të krijojmë kushte sa më të mira për zhvillimin e aktiviteteve rinore në gjithë komunën e Shtimes”, thuhet në reagimin e Komunës së Shtimes.

Në anën tjetër asamblisti i LVV-së në Shtime, Besnik Seferi, ka reaguar në rrjetin social Facebook duke thënë se faji për demolimin e Qendrës Rinore është i dyanshëm, i qytetarëve të pandërgjegjshëm dhe i Komunës që nuk ka arritur të punësojë një person që siguron objektin.

“Fajin ndahet në pjesë këtu, fillimisht qytetarët dhe të rinjët e pa përgjegjshëm dhe gjestet asesi të arsyetueshme për të gjithë ne, shkatërrimin e objektit dhe prurjen deri në atë gjendje. Pjesa tjetër e fajit shkon mbi institucionet komunale të cilat pas rregullimit të objektit nuk kanë arritur të lënë të paktën një person i cili do ta mbikqyrte këtë objekt dhe të jetë si përgjegjës ose kordinator i tij”, thuhet në reagimin e Seferit.

Ai shtoi se kamerat e sigurisë do të duhej të vendoseshin shumë më parë për shkak se ky nuk është rasti i parë që Qendra Rinore demolohet.

“Duke e pas parasysh se si ka qenë në të njëjtën gjendje ky objekt edhe para rinovimit të tij atëherë ka qenë e domosdoshme marrja e këtyre hapave që i lartë ceka. Sinqerisht është për tu dhimbsur edhe për mua personalisht kjo gjendje në të cilën është objekti i Qendrës duke ditë aktivitetet që kemi realizu më herët aty me organizatat në Shtime. Ftoj qytetarët dhe të rinjët për vetëdijesim dhe përgjegjësi maksimale për veprimet e tyre tash e tutje!”, përfundon reagimin Seferi.

KALLXO.com kishte raportuar se ishte vonuar renovimi i Qendrës Rinore në Shtime.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli në emisionin ‘Debat Përnime’ të mbajtur më 3 nëntor 2020 kishte premtuar se objekti dhe dëmtimet do të rregulloheshin në vitin 2020.

Zëdhënësi i Komunës së Shtimes, Gzmend Ademaj kishtë thënë për KALLXO.com se punimet në objektin e Qendrës Rinore kanë filluar me rregullimin e mureve brenda.

“Brenda është duke u rinovu, ndërsa jashtë jo. Muret janë rinovuar aty ku kanë qenë të dëmtuara.”, kishte thënë Ademaj.

Qendra Rinore në Shtime nuk u funksionalizua më 2020