Asambleja Komunale e Lipjanit. Foto: Kallxo.com

Asamblisti i LDK-së në Lipjan ka kërkuar nga punëtorët e tij ta votojnë Vjosa Osmanin

Asamblisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Lipjanit, Fadil Sopa, i cili njëherësh është pronar i qendrës tregtare “7 Vëllezërit” në këtë qytet, ka kërkuar nga punëtorët e tij ta votojnë kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmani, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se Sopa i ka kërcënuar punëtorët e tij që të votojnë për Osmanin.

Por kërcënimet i ka mohuar vetë asamblisti i LDK-së, Fadil Sopa, i cili në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se vetëm ka kërkuar nga punëtorët e tij që ta votojnë kandidaten e partisë së tij.

“Kah ju ka ardh ajo informatë. Për me i kërcënu jo, a për me ju thanë me e votu u kam thanë. Për arsye se është kandidatja më e mirë dhe më potenciale për kryeministre të vendit dhe kismet, me emër të Zotit, ka me dalë ajo. Nuk i kam kërcënuar vetëm u kam thënë se duhet me votu Vjosa Osmanin se është ma e mira”, ka thënë ai.

Ai madje ka thënë se do të shkonte në burg nëse është nevoja për Osmanin.

“Nëse ka nevojë me shku në burg për Vjosën, shkoj, s’ka problem. Nashta najnjo ma ka pasë hatrin, e nashta najnjo më ka rrejt. Kur janë shku aty kanë ndryshuar mendje. Për me ju thanë, ju kam thanë krejtve që duhet me votu Vjosa Osmanin”, ka theksuar ai për KALLXO.com.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019, në komunën e Lipjanit më së shumti vota ka marrë LDK-ja, gjithsej 10 mijë e 365, apo 37,83 për qind.

Komuna e Lipjanit udhëhiqet nga LDK-ja me kryetar Imri Ahmetin.