Valon Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Asamblisti i GUXO: Çerdhja dhe nana e nepotizmit është Nisma në Malishevë

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Malishevës, Valon Krasniqi, i cili vjen nga radhët e partisë GUXO, ka akuzuar qeverisjen e Nismës Socialdemokrate në këtë komunë për punësime familjare.

“Çerdhja dhe nana e nepotizmit dhe e punësimeve familjare gjendet nën petkun e qeverisjes së Nismës në Malishevë”- ka thënë ai në  debatin “Jeta në Komunë”.

Krasniqi ka përmendur dy punësime për të cilët thotë se janë familjarë të kryetarit Kastrati ndërsa ka theksuar edhe transferimin e gruas së drejtorit të Urbanizmit nga një çerdhe në tjetër dhe kontratën e përhershme të punës së gruas të drejtorit të Inspektoratit në çerdhen ‘Zërat e Ëmbël’.

“Do t’i përmend me emra dhe mbiemra punësimet familjare pa asnjë kriter dhe nepotizmin masiv të Nismës Socialdemokrate në Malishevë. Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit ka transferuar në kohë fushate gruan e tij nga çerdhja në fshatin Burim në çerdhen ‘Zërat e Ëmbël’, Hafir Rexha, drejtor i Inspektoratit e ka me kontratë të përhershme gruan e tij si edukatore, e vetmja me kontratë të përhershme në çerdhen ‘Zërat e Embël’… Kryetari Ekrem Kastrati ka punësuar djalin e vëllait të gruas së tij, më pas kryetari Ekrem Kastrati e ka punësuar kushërirën e tij pa konkurs në SHFM ‘Ibrahim Mazreku”- ka thënë ai.

Kryetari Kastrati ka mohuar të ketë nepotizëm në këto punësime.

“Sigurisht kanë kalu në procedurat e rregullta. Është punësuar si arsimtar. Nuk ka këtu familjarizëm apo nepotizëm” – tha Ekrem Kastrati.

Drejtori i Inspektoratit, Hafir Rexha, tha se “bashkëshortja ime është e punësuar që nga viti 2015, është me drejtim përkatës me të gjitha procedurat”.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Avdi Morina, pranoi transferimin e gruas së tij por kjo tha ai ka ndodhur për shkak të mungesës së kuadrove.

“Edhe gruaja ime punon prej vitit 2009, e ke edhe në listën e pagave. Transferet në kuadër të Drejtorisë së Arsimit bëhen në mungesë të kuadrove apo për shkak të shuarjes së paraleleve” – tha ai.