Asamblistët e LVV-së: Prishtina nuk përparon me Përparimin

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën numëruan punët dhe projektet e kryetarit Përparim Rama në 100 ditëshin e tij në udhëheqje të kryeqytetit.

Asamblistja Triera Kasumi tha se për këto 100 ditë nuk ka filluar e as përfunduar asnjë projekt nga kryetari Rama bashkë me partnerin qeverisës – PDK.

“Janë bërë 100 ditë që kur Përparim Rama është dashtë me e fillu punën. Do të kishim dashtë qe me analizu punët që i ka bërë ose ndonjë projekt konkret, por nuk ka sesi të bëhet sepse asnjë nuk ka filluar as përfunduar. Jemi dëshmitarë të premtimeve megalomane qe i ka bërë, te një Prishtine të përjetimeve, me skica e vizualizime. I ka dhënë 206 premtime, pra më shumë se çdo pretendent tjetër për kryetar ka berë në histori të zgjedhjeve në lokale. Për 100 ditë akoma nuk e kompletuar as stafin, nuk janë vendosur as aksionarët e ndërmarrjeve, kemi mungesë transparencë në Prishtina Parking e në ndërmarrjet tjera që ka probleme, e që siç duket vetëm kryetari nuk i di”, tha Kasumi- Berisha.

Ndërkaq, asamblisti Gëzim Sveçla ka thënë qytetarët e kanë provuar edhe më herët koalicionin LDK-PDK dhe është dëshmuar se është vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe jo koalicion për qytetarët.

“Pritshmëritë tona për këtë qeverisje, kanë qenë minale, por tani ato nuk ekzistojnë fare. Edhe pritshmëritë e qytetarëve që kanë ra pre e premtimeve të tij janë zbehur. Në çdo lagje ka tensione, proteste e ankesa që lidhen me mos punën e papërgjshmërinë e tij e të kabinetit. Ne si LVV kemi potencuar që do të përkrahim çdo projekt që është në të mirën e qytetarëve, por qe për 100 ditë nuk ka fillu asnjë”, u shpreh ai.

Sipas Sveçlës, qyteti është me i papastër se kurrë, nxenësit janë pa ngrohje dhe lagjet pa ndriçim publik.

“Meditimi mund t’i ndihmojë por jo duke i mbyllur sytë. Prishtina nuk përparon me Përparimin”, tha ai.

Asamblistët me vete kishin edhe një poster të madh me “punët e kryera për 100 ditë”.