Asamblistët e Bekim Jasharit ushtrojnë kallëzim penal ndaj kryetarit të Skenderajt

Lista e Pavarur Bekim Jashari, përmes asamblistëve të saj, ka ushtruar kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, për keqpërdorim të detyrës zyrtare “duke emëruar në kundërshtim me ligjin” Haxhi Bejtën shef të Zyrës së Prokurimit.

Sepse, sipas tyre, Haxhi Bejta nga viti 2019 ka humbur statusin e shërbyesit civil të Komunës së Skenderajt.

“Lista e Pavarur Bekim Jashari, duke besuar në institucionet tona të drejtësisë të ndertuar me shumë mund e sakrificë, kërkon që kjo padi të trajtohet me kohë dhe gjithnjë sipas ligjit”, thuhet në komunikatë.

Bekim Jashari në emisionin “Kallxo Përnime” gjatë muajit nëntor deklaroi se e kishte dërguar në Komision Disiplinor Haxhi Bejten, nën arsyetimin se i njëjti gjatë qeverisjes së tij, përkatësisht në vitin 2018, nuk e kishte respektuar orarin e punës.

Bejta ishte ankuar edhe në Këshillin Mbikëqyrës të Pavarur, e ky institucion i kishte dhënë të drejtë atij në vitin 2018. Gjithashtu ky vendim e kishte obliguar Bekim Jasharin ta rikthejë në vendin e punës.

Javë më parë KALLXO.com ka kontaktuar më Haxhi Bejtën por i njëjti nuk ka pranuar që ta sqarojë rastin.

Në anën tjetër, Komuna e udhëhequr nga Fadil Nura i PDK-së u arsyetua se vendimi i Këshillit Mbikëqyrës ka vendosur në favor të Haxhi Bejtës.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com është në pritje të përgjigjeve rreth pyetjeve shtesë që i ka dërguar Komunës së Skenderaj pas posedimit të një vendimit tjetër të vitit 2019 që thotë se Komisioni Disiplinor i jep vërejtje të rëndë Haxhi Bejtës.

Bekim Jashari tregon si iu lut Sami Lushtaku: “Mos m’i nguc njerëz e mi’