Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton Raportin për Ballkanin Perëndimor

Në punimet e sesionit të 68-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohen në Madrid të Spanjës, Asambleja ka miratuar Raportin për Ballkanin Perëndimor.

Në një komunikatë për media, Kuvendi i Kosovës njofton se raportin e ka kundërshtuar delegacioni serb, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën.

“Raportin e kundërshtoi udhëheqësi i delegacionit serb, i partisë së kryetarit serb Vuçiq, në pushtet, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën, ngase nuk është shtet, duke e quajtur ‘Kosovo i Metohija’, si dhe duke deklaruar se “jemi duke biseduar për çështjen e statusit të Kosovës”. Gjithashtu, duke pretenduar që bazat ushtarake ruse në Serbi janë për qëllime humanitare, se nuk ka tension të nxitur nga Serbia etj”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Asambleja më pas ia ka kaluar fjalën kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Driton Hyseni, i cili ka argumentuar se pretendimet e delegacionit serb, respektivisht kryetarit të këtij delegacioni, “janë tërësisht të pavërteta”.

Hyseni ka thënë se Kosova është shtet sovran, i shpallur në vitin 2008 e i njohur nga 117 shtete të botës dhe ka theksuar se pavarësia e saj është vërtetuar edhe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë.

“Hyseni vazhdoi duke potencuar faktin që vetëm pak zyrtarë serbë akoma Kosovës i drejtohen me emrin “Kosovo i Metohija”, por në fakt Kosova është vetëm Kosovë. Sa u takon bazave ruse në Serbi, Hyseni sqaroi se nuk bëhet fjalë për baza për qëllime humanitare, por ato janë baza ushtarake, të shumta në numër, e një pjesë e madhe e tyre janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën. Ai tha se Serbia është duke u armatosur me armë ruse dhe kineze”- thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Më tej, sipas komunikatës, Hyseni shtoi se “i gjithë tensioni në veri të Kosovës është produkt i influencës dhe ndikimit që Beogradi ka tek minoriteti serb që jeton në veri të Kosovës”.

Raporti më pas ishte hedhur në votim dhe përpos dy abstenimeve, të gjitha votat tjera ishin pro.

“Mbështetje të madhe në këto diskutime Kosovës i dha anëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Harriett Baldwin, duke bërë thirrje për njohje të realitetit në Kosovë dhe duke ftuar shtetet anëtare të NATO-s për njohje të shtetësisë së Kosovës”- bëhet e ditur në njoftim.

Gjithashtu Kuvendi njofton se, gjatë sesionit të djeshëm, kryetarja e delegacionit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, njëherësh nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në diskutimin e saj të zhvilluar në Komisionin Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, iu drejtua ministrit për Punë të Jashtme, Evropë dhe Bashkëpunim të Spanjës, Albares, me kërkesën e Shqipërisë për të adresuar çështjen e Kosovës nën një perspektivë të re nisur nga marrëdhëniet e bashkëpunimit të hershëm që kanë karakterizuar Spanjën me rajonin e Ballkanit.

Në përgjigje, ministri Albaros citohet të ketë thënë se Spanja mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk do të jetë pengesë për zhvillimin e rajonit.

“Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga Driton Hyseni, kryesues dhe Xhavit Haliti, anëtar, janë duke zhvilluar takime me delegatët pjesmarrës dhe janë duke marrë pjesë në diksutimet, të cilat në këtë sesion janë të fokusuara në partneritetet e NATO-s, te e ardhmja e politikës së dyerve të hapura, duke përfshirë diskutimet për pranimin e Finlandës dhe Suedisë, diskutimet për Konceptin e ri Strategjik të NATO-s, përshtatjen dhe modernizimin më të gjerë, qëndrimin me Ukrainën dhe përballjen me kërcënimin e Rusisë, e çështje të tjera me rëndësi.”- përfundon komunikata.