Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Asambleja e Prizrenit nuk e miraton buxhetin për vitin 2021, Komuna humb mbi 5 milionë euro

Më 30 shtator Asambleja Komunale e Prizrenit nuk e kishte votuar buxhetin e propozuar nga udhëheqja komunale, e drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka.

“Buxhet i asfaltit e kubëzave”, “buxhet i fushatës e i partisë”, “buxhet i tenderëve”.

Nën këto akuza dhe arsyetime opozita e Prizrenit nuk e ka votuar buxhetin në mbledhjen e sotme të Asamblesë Komunale.

Me vetëm 11 vota pro, 19 kundër dhe dy abstenime, ka dështuar votimi i buxhetit të Komunës për vitin 2021 në shumën prej 47 milionë euro.

Kryetari i Prizrenit nëpërmjet një shkrimi ka njoftuar se Ministria e Financave ka marrë 5 milionë e 524 mijë euro dhe janë vendosur në fondin rezervë të Qeverisë së Kosovës.

Kjo shumë sipas Haskukës do të ishte dashur të investohej në 75 projekte të reja, kurse tani sipas tij shumë projekte rrezikohen të mos realizohen së bashku me projektin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 5 milion euro. Pra, sipas Haskukës, tashmë Prizreni do të dëmtohet me 10,5 milionë euro.

75 projektet të cilat ishin planifikuar të realizoheshin kanë qenë projekte kryesisht të infrastrukturës, investime dhe riparime në sinjalistikën e Komunës, trajtimi i kanalizimeve, investimet në shkolla, ndërtimi i një qendre të mjekësisë familjare.

Ndër projekte tjera të rëndësishme që i ka humbur Komuna e Prizrenit, sipas Haskukës, kanë qenë edhe renovimi i Qendrës Sportive, ndërtimi i një qendre kulturore dhe investime tjera në fshatra dhe në qytet.

“Fatkeqësisht kjo vjen si pasojë e mos votimit të buxhetit nga ana e asamblistëve, që për arsye të kalkulimeve politike shkurtpamëse, dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarët e Prizrenit”, ka shkruar Mytaher Haskuka.

I pari i Prizrenit gjithashtu ka njoftuar se gjatë debatit për planifikimin e buxhetit janë pranuar mbi 200 kërkesa të qytetarëve dhe sipas tij janë përfshirë rreth 60% e tyre.

Në mbledhjen e Asamblesë Komunale ku kishte dështuar të votohej buxheti, në një diskutim të gjatë, partitë opozitare nuk e votuan propozim-buxhetin e prezantuar nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Financave.

Opozita u ankua se Haskuka dhe drejtoresha e Financave nuk i kanë përfshirë në propozim – buxhet kërkesat dhe propozimet e tyre, duke e akuzuar kryetarin për investime në zona të caktuara “me qëllime elektorale”.

Kurse Haskuka u ankua se Komuna e Prizrenit nuk po përfillet nga pushteti lokal respektivisht sipas tij në dy vite 38 kërkesa të Komunës për shpallje të interesit nacional të disa parcelave nuk janë votuar në Qeveri. “Kurse Bali Muharremajt të Suharekës brenda 30 ditëve në Qeveri është votuar kërkesa e tyre”, tha Haskuka.

Tashmë kur qeverisja e Prizrenit me kryetarin Mytaher Haskuka nuk e ka shumicën e votave në Asamblenë Komunale, shpresa e vetme e Haskukës për të kaluar vendimet në Asamblenë Komunale mbeten votat e opozitës, e cila e ka shumicën.