Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Asambleja e Prishtinës voton për pezullimin e të gjitha procedurave për ndërtim në afërsi të Badovcit

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar për pezullimin e përkohëshëm të të gjitha procedurave për ndërtimet e planifikuara në afërsi të liqenit të Badovcit me 24 vota pro, 1 kundër dhe dy abstenime.

Shefat e grupeve parlamentare të partive në Komunën e Prishtinës sot kanë dhënë dy rekomandime dhe kanë propozuar që Komuna e Prishtinës të marrë vendim për pezullimin e e përkohshëm të të gjitha procedurave për ndërtimet e planifikuara në afërsi të liqenit të Badovcit.

Leutrim Retkoceri nga PDK ka prezantuar para asamblistëve dy rekomandimet dhe propozimin.

“Në dakordim të plotë me partitë, kemi marrë qëndrim të demi dy rekomandime. Kërkesë që komuna në bazë të akteve ligjore të anulojë kushtet ndërtimore. Të bashkohet me parkun e Gërmisë, si zonë e mbrojtur dhe vendimin jonë është që të pezullohet Plani Zhvillimor për liqenin e Badovcit”, tha Retkoceri.

Në anën tjetër asamblisti i PSD, Nol Nushi, tha se vendimi për pezullim nuk ka asnjë bazë ligjore, por u deklarua se do ta votojë atë.

“Vendimi që komuna me pezullu planin zhvillimor nuk e ndalë asnjë ndërtim, asnjë zonë sepse nuk ka bazë ligjore. Unë votoj sepse për neve nuk ka asnjë ndjekje ligjore”, u deklarua Nushi.

Shpendi Ahmeti e kundërshtoi pezullimin e Planit Zhvillimor në afërsi të liqenit të Badovcit duke thënë se nuk mund të ndërrohet Plani Zhvillimor Komunal

“Zona e parë është dokument 10 faqesh. Ndalohet ndërtimi i shtëpive të ekonomisë familjare. Në se me vërtet e kemi për me ndalë, ka procedura tjera ligjore. Nuk mundeni me e pezullu Planin Zhvillimor me një vendim të Kuvendit. Njerëzit kanë të drejta dhe kanë prona në atë zonë”, tha Ahmeti.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.