Asambleja e Prishtinës nesër seancë të jashtëzakonshme për projektin për lagjen buzë Liqenit të Badovcit

Komuna e Prishtinës nesër nga ora 10:00 do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me projektin për ndërtimin e një lagjeje buzë Liqenit të Badovcit.

Asamblistët e Kuvendit Komunal kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për këtë seancë.

Kjo seancë do të jetë e hapur me ç’rast të gjithë qytetarët mund të marrin pjesë.

KALLXO.com kishte raportuar se një kompani private po planifikon ndërtimin e një lagjeje banimi afër Liqenit të Badovcit.

Për këtë kishte reaguar i pari i kryeqytetit Shpend Ahmeti fillimisht duke thënë se nuk ka leje ndërtimore  e më pas Komuna kishte sqaruar se pas presionit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte lëshuar kushtet e ndërtimit.

Partitë opozitare në Komunën e Prishtinës janë deklaruar kundër ndërtimit të një lagjeje banimi buzë Liqenit të Badovcit.

“LDK-ja nuk mendon që aty duhet të jepet leje ndërtimi dhe nëse vjen në Kuvend, ne do ta votojmë kundër”, ka thënë Asambleisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë për të kundërshtuar një projekt të tillë.