Selia e OBSH-së në - Gjenevë

Asambleja e OBSH-së diskuton për pandeminë e COVID-19

Udhëheqësit botëror do të diskutojnë masat kundër pandemisë dhe rishikimin e mundshëm të përgjigjes ndaj krizës që ka shkaktuar ajo.

Takimi i 194 shteteve anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), do të mbahet të hënën dhe të martën, në formatin online.

OBSH-ja pritet të përballet me pyetje se si po i përgjigjet pandemisë së koronavirusit.

Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili ka mbrojtur veprimet e vendit të tij gjatë shpërthimit të pandemisë, do të flasë gjatë ceremonisë së hapjes.

Ministria e Jashtme e Kinës ka përsëritur kundërshtimin e Pekinit për një hetim mbi origjinën dhe përhapjen e virusit, duke thënë se një veprim i tillë është i parakohshëm derisa pandemia ende po vazhdon.

Asambleja dy-ditore – një takim vjetor që rishikon punën e agjencisë së Kombeve të Bashkuara – vjen në mes të akuzave midis SHBA dhe Kinës për përhapjen e koronavirusit.

SHBA-ja tashmë ka ndalur fondet e saj për agjencinë dhe po promovon programin e vet të vaksinës kundër COVID-19.

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve lidhur me shpërthimin e epidemisë si dhe ka ngritur dyshime se virusi mund të ketë dalur nga një laborator kinez.

Më shumë se 4.5 milionë njerëz janë infektuar dhe më shumë se 300,000 kanë vdekur, që nga shfaqja për herë të parë e virusit, në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë.

Bashkimi Evropian, si dhe vendet tjera si Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re, po bëjnë përpjekje për një hetim për mënyrën se si është trajtuar pandemia.

“Si u përhap kjo pandemi? Cila është epidemiologjia që qëndron pas saj? E gjithë kjo është absolutisht thelbësore për ne që të lëvizim përpara për të shmangur një pandemi tjetër të këtij lloji”, tha Virginie Battu-Henriksson, një zëdhënëse e BE-së.

Muajin e kaluar, një raport i BE-së akuzoi Kinën për përhapjen e dezinformatave lidhur me krizën e koronavirusit.

Shërbimi i Jashtëm i bllokut tha se Rusia, dhe në një masë më të vogël Kina, përdorën “retorikën e komplotit” në BE dhe vendet fqinje./REL