Asambleistët kërkojnë sqarime të dhënies së kushteve ndërtimore për ndërtimet në liqenin e Badovcit

Komuna e Prishtinës është duke mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme për ndërtimet, të cilat po planifikohen në afërsi të liqenit të Badovcit.

Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komunës së Prishtinës se kryeqyteti duhet t’i ruajë hapësirat e gjelbra  si dhe burimet ujore.

Ai po shtuar ka kërkuar nga Komuna tërheqjen e kushteve ndërtimore si dhe në anën tjetër të shpjegojë si i ka marrë ato.

“Kryeqyteti pa lum ka nevojë për këtë liqe. Prishtina duhet t’i ruajë hapësirat e gjelbra dhe t’i shtojë ato. Komuna duhet t’i tërheqë kushtet ndërtimore dhe pastaj të na tregojë si janë lëshuar ato. Pse iu ngut komunës për të lëshuar këto kushte. Shpend Ahmeti duhet ta tërheqë vendimin dhe të na tregojë se a e din se ku janë lëshuar këto kushte. Sqarimet të na jepen pasi të tërhiqen kushtet”, ka thënë ai.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkesa ishte e njëjtë, që të dihen procedurat e dhënies së kushteve ndërtimore.

“Ne nuk dëgjuam arsyet e pse janë dhënë kushtet nga komuna. Unë i përkrahi qytetarët sepse kanë shqetësim. Por një shqetësim tjetër është se 26 vendbanime në komunën e Prishtinës nuk kanë ujë. Duhej të vinte edhe kompania që të na prezantonte projektin këtu”, ka thënë Shefki Gashi, asamblistë i LDK-së.

Edhe Halim Halimi, asamblistë i LDK ka thënë se me dhënien e kushteve ndërtimore, Komuna e Prishtinës ka dhënë edhe lejen ndërtimore.

“Ne jemi të obliguar që kërkesat e qytetarëve ti paraqesim në seancë. Sa i përket grupit tonë të asamblesë, ne jemi që të pezullohen ndërtimet në buzë të Liqenit të Badovcit. Realiteti është që qytetarët janë të shqetësuar. Kushtet ndërtimore i ka lëshuar komuna, që nënkupton që 99% janë edhe lejet e ndërtimit”, ka thënë Halimi.

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit që në ‘Facebook’ numëron rreth 27 mijë anëtarë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komunës së Prishtinës kanë paraqitur tri kërkesa, në lidhje me ndërtimet në Liqenin e Badovcit.

Të gjitha partitë në Komunën e Prishtinës si rrallë herë janë shprehur kundër ndërtimeve në liqenin e Badovcit.

Halim Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qytetarët duhet t’i lexojnë në foltore kërkesat e tyre sepse këto ndërtime më shumë i prekin ata.

“Sa i përket leximit të kërkesave nga ana e qytetarëve, nuk shoh kurrfarë problemi, sepse qytetarët na kanë dhënë votën. Qytetarët janë të shqetësuar, për paralajmërimet për ndërtime në Badovc. Duhet ta kemi parasysh që kemi të bëjmë me zone të interesit të veçantë”, ka thënë Halimi.

Edhe Eman Rrahmani nga Vetëvendosje është pajtuar që qytetarët t’i lexojnë kërkesat e tyre rreth ndërtimeve në Badovc.“Përfaqësuesit të grupit të rreth 30 mijë njerëzve duhet ti jepet fjalë. Jemi dakorduar me partitë tjera që qytetarët ti lexojnë kërkesat”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesit e PSD, partisë që momentalisht udhëheq Prishtinën kanë shprehur gatishmërinë t’i dëgjojnë qytetarët dhe kërkesat e tyre.

KALLXO.com kishte raportuar se një kompani private po planifikon ndërtimin e një lagjeje banimi afër Liqenit të Badovcit.

Për këtë kishte reaguar i pari i kryeqytetit Shpend Ahmeti fillimisht duke thënë se nuk ka leje ndërtimore  e më pas Komuna kishte sqaruar se pas presionit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte lëshuar kushtet e ndërtimit.

Partitë opozitare në Komunën e Prishtinës janë deklaruar kundër ndërtimit të një lagjeje banimi buzë Liqenit të Badovcit.

“LDK-ja nuk mendon që aty duhet të jepet leje ndërtimi dhe nëse vjen në Kuvend, ne do ta votojmë kundër”, ka thënë Asambleisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë për të kundërshtuar një projekt të tillë.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.