
Ish-korrespondentja e CNN në Irak dhe Lindje të Mesme, Arwa Damon. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com
Arwa Damon, dy dekada korrespondente lufte: E kemi obligim që t’u dalim në ndihmë të pafajshmëve
“Duke u rritur e kam kuptuar se nuk mund ta ndërroj botën, por ajo që mund të bëj është ta ndërroj jetën e një fëmije” – është botëkuptimi që ka gdhendur ish-korrespondentja e medias ndërkombëtare CNN, Arwa Damon, gjatë raportimit në Irak dhe Lindjen e Mesme për dy dekada.
Pas një përvoje të gjatë pune në terren e në fronte të luftës, Damon e kishte gjetur vetën para një tabloje të re që tash e një kohë synon ta përfundojë gjatë pjesës tjetër të jetës. Puna në mes valëve të luftës ka bërë që ajo të hapë një organizatë humanitare të quajtur International Network for Aid, Relief and Assistance (INARA).
“Pa marr parasysh çka ndodh në botën përreth nesh, ne e kemi obligim që t’u dalim në ndihmë atyre që janë më të pafajshmit”- tha Damon para gazetarëve në Kosovë, me të cilët përreth dy orë ndajti përvojën e saj si korrespondente në zona lufte dhe konflikti, deri te themelimi i organizatës së saj. Në ekranin e madh ajo shfaqi pamje të trishta të fëmijëve në Gaza.
Duke marr shkas vuajtjet e fëmijëve, në vitin 2015, ajo e themeloi INARA-n, organizatë jofitimprurëse që ofron qasje në kujdesin shëndetësor për fëmijët e prekur, të lënduar ose traumatizuar nga tmerret e luftës, si pasojë e konfliktit, ose për shkak të kushteve të pasigurta të jetesës.
Edhe pse gazetarinë nuk e ka studiuar, vullneti i madh që zërin e të tjerëve që vuajnë nëpër luftëra dhe konflikte, ta bëj të zëshëm përmes ekraneve nëpë botë, thotë se e ka shtyrë që t’ia përkushtoj vetën ndaj gazetarisë për 20 vite. Ajo ka studiuar Gjuhë Frënge dhe Biologji në SHBA.
“Iraku është pjesë e imja, por Siria më ka shtypur”- ndau ajo përvojën e saj, duke treguar se çfarë ndikimi të madh ka pasur në qenien e saj raportimi prej zonave të rrezikshme. Sidomos, për fëmijët e vegjël, ajo thotë se i ka ndjerë dhimbjet e tyre në qelizat e saj, dhe është munduar të bëj më shumë sesa raportim.
Përgjatë karrierës së saj si korrespondente, Damon ka fituar pesë çmime Emmy.
Damon ka lindur në Boston, Massachusetts, nga një nënë siriane dhe nga një baba amerikan. Për këtë arsye, ajo tregoi se në shtëpinë e saj çdo herë janë folur dy gjuhë, ajo angleze dhe siriane. Poashtu mëngjeset janë ngrënë me dy kultura ushqimi, atë të nënës nga Siria dhe babait nga SHBA-ja.
Ajo tregoi se pothuajse e gjithë fëmijëria i kishte kaluar duke udhëtuar në Marok dhe Stamboll, deri atëherë kur ishte kthyer të studionte në Amerikë. Por, pas studimeve rruga e saj jetësore mori tjetër kahje.
Pasi kishte punuar në punë të ndryshme jashtë profesioneve të saj, e më pas edhe duke mbuluar Irakun dhe Lindjen e Mesme për agjenci lajmesh, Damon tregoi rrugëtimin e saj për në Bagdad me të vetmin qëllim- që të punoj në median ndërkombëtare CNN.
“Kam qenë e tmerrshme në televizion. Por, është dashtë të luftoj me egon time. Edhe pse nuk kam qenë e mirë para kamerës. CNN më ka falur gabime”- rrëfeu ajo për vështirësitë e saj në fillim të karrierës, pasi ishte punësuar zyrtarisht në CNN në vitin 2006.
Damon mbuloi zgjedhjet në Irak të janarit 2005, votimin e referendumit kushtetues në tetor 2005 dhe zgjedhjet në Irak të dhjetorit 2005. Ajo gjithashtu raportoi mbi gjyqet dhe ekzekutimet e Saddam Huseinit, Barzan Ibrahim Hassan al-Tikriti dhe Awad Hamed al-Bandar në janar 2007.
“Pjesa më e vështirë duke qenë gazetare grua në vijë të frontit dhe në terren lufte ka qenë për të shkuar në banjo”- tha ajo njëmend, duke u shprehur me gjysmë shakaje.
Damon e cila ende vuan nga “burn-out”, apo në shqip “shterrim emocional” nga lodhja fizike, emocionale dhe shpirtërore prej punës, thotë që për të, sado që ka qenë e lehtë për të qenë gazetare grua, ka qenë edhe tejet e vështirë. Megjithatë, për tani thotë se ndjen që iu kanë lodhur të gjitha qelizat e trupit nga gjërat me të cilat është përballur si gazetare dhe vazhdon të përballet në terren edhe si themeluese e një organizate humanitare.
Një prej gjërave që thekson që i është dukur e frikshme është deri ku mund të mbërrijë dehumanizimi dhe pamundësia për të ndryshuar situatat gjeopolitike.
“…kur e sheh që pa marr parasysh që kanë kaluar, ëndrrat nuk iu kanë vdekur”- tregoi ajo për ndjesitë që i kanë dhënë fëmijët që janë rritur në zonat të luftës. Një prej pyetjeve që thotë se ia ka parashtruar vetës vazhdueshëm është që “A jam duke bërë mjaftueshëm?”
Sidoqoftë, Damon e pranonte që ballafaqimi me njerëz që e kanë jetën e shkatërruar, e ka bërë që t’ia di më shumë vlerën gjërave. Ajo thotë se i vjen keq të ankohet përderisa njerëzit në ato zona jetojnë keq.
“Kujdesi për vetën është luks. Por, ata njerëz për të cilët bëjmë storie nuk e kanë këtë luks”- tha ajo.
Një prej storieve që e ka më përzemër është ajo për Jusufin 5 vjeçar, i cili ishte djegur rëndë në një sulm, që sipas saj u rikthye në një nga histrotë më të vlerësuar në vitin 2007. Të njëjtit ajo i kishte ndihmuar me kujdes shëndetësor në SHBA në vitet pasuese.
“Detyra jonë nuk është të jemi objektivë, por të jemi të vërtetë. Objektiviteti është një konstruksion i pavërtetë. Ne duhet të jemi të sinqertë në gazetari”- tha ajo me bindje të plotë.