Artpolis themelon Fondin për Art Feminist, në shkurt prezantohen katër vepra

Organizata Artpolis ka krijuar Fondin për Art Feminist në janar të vitit 2022 përmes të cilit veprat artistike me qasje feministe mund të vijnë në jetë.

Organizata ka njoftuar se në shkurt prezantohen katër vepra përmes këtij fondi.

Katër veprat kanë tema e mënyra të ndryshme të prezantimit, por me një pikësynim të përbashkët – fuqizim të vajzave, grave e grupeve të margjinalizuara dhe shpërfaqjes së pabarazisë ndaj tyre.

“Me dashuri e për dashurinë nis prezantimi i veprave në kuadër të Fondit për Art Feminist. Më 14 shkurt nga ora 18:00 në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë performanca “Vet’♥️” nga Andi Krasniqi e Arbnora Ademi”, thuhet në njoftim.

Ekspozita “Vet’♥️” ka për qëllim të ngris vetëdijen te shumica mbi të vërtetat e tranzicionit dhe është e bazuar në rrëfimet e personave që janë në mesin tonë. E ndarë në katër faza, në të paraqiten dëshira, ankthi, realiteti personal i personazhit, ai i rrethit dhe të dashurit e vetvetes.

Sipas organizatës, katër ditë më vonë më 18 shkurt 2022, para publikut në Teatrin Oda, nga ora 18:00 do të prezantohet koreodrama e Leudrita Mustafës me titull “Grua mos hesht”.

“Kjo vepër vjen si narracion kundër dhunës ndaj grave, dhe sfidat me të cilat ato ballafaqohen në përditshmëri. Ngjarja realizohet përmes vallëzimit bashkëkohorë në të cilën portretizohet një çift në faza të ndryshme të lidhjes së tyre, deri tek çlirimi përfundimtar i gruas nga një marrëdhënie toksike. “Grua mos hesht” vjen si thirrje për të gjitha gratë që të mos tolerojnë padrejtësitë ndaj tyre e të kërkojnë ndihmë për t’u çliruar nga prangat e patriarkatit”, vazhdon më tej njoftimi.

Artpolis ka bërë të ditur gjithashtu se më 22 shkurt, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premierë baleti “Equal” me koreografi të Robert Nuhës, me fillim nga ora 20:00.

“Equal” është projekti më i ri i artistik i kompanisë “Noa Dance Theater”, i cili vjen si rrjedhojë e kërkimeve të koreografisë së bazuar në teknikat më të fundit të dansit bashkëkohorë, konkretisht në improvizim të kontaktit, të cilat nxjerrin në pah shtypjen gjinore si akt i dhunshëm dhe i dëmshëm fizik e psikik.

Kurse më 24 shkurt, në Sallën Koncertale të Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Prishtinës do të prezantohet vepra “Sonatë e Kristaltë” nga Entela Qarkagjija.

“Sonatë e Kristaltë” është një performancë në siluetë, duke luajtur në violë e piano që sjell narracionin mbi sfidat dhe paragjykimet me të cilat përballen instrumentistët, veçanërisht gratë.

Kjo iniciativë mbështetet nga Fondi për Artin Feminist i Artpolis, i cili përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.