"Guernika" e Picassos nga Ermira Murati në Prishtinë; Fotografi: Ermira Murati

Artistja e re pikturon ikonën botërore para Teatrit Kombëtar

Piktura e artistit të famshëm botëror Pablo Picasso e quajtur “Guernika”, përpos që zë vendin në Pavijonin e Spanjës, tashmë ajo ka bërë vend edhe para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Piktorja e re në moshë, Ermira Murati, ka punuar këtë ikonë artistike në muret e një trafoje të zymtë në qendër të Prishtinës, duke sjellur me artin e saj një frymë të re të artit urban në kryeqytet.

Murati për KALLXO.com tha se qëllimi i kësaj pikture është për t’i zbukuruar dhe për t’u dhënë gjallëri trafove të shëmtuara dhe të vandalizuara, të cilat sipas saj e humbin hijeshinë e pjesëve të ndryshme të Prishtinës.

“Kjo pikturë është e vendosur në njërën nga hyrjet për në shesh e cila frekuentohet nga shumë njerëz, besoj që vendosja e saj në këtë pjesë përcjellë energji të mirë dhe lë pershtypje të mira që në hyrje të sheshit”, tregoi Murati.

Studentja e Fakultetit të Arteve e cila e ka punuar vet këtë pikturë tha se arsyeja se pse ka vendosur ta pikturoj Guernikën është se i përshtatej formës së trafos.

“Guernika” e Picassos nga Ermira Murati në Prishtinë; Fotografi: Ermira Murati

“Ishte madhësia e trafos që e bënte më të vështirë punën e cila morri pak më shumë kohë për ta perfunduar, në të njejtën kohë, koha ishte e ftohtë dhe aspak në anën time”, tha Murati.

Me të njëjtën teknikë grisaille sikurse Picaso edhe Murati e ka punuar pikturën me paletën monokrome neutrale (ngjyrat bardhë e zi) nga të cilat është gërshetuar edhe ngjyra e hirtë, përbërjen komplekse me figurat kubiste të Pikasos, përfaqësimin e hapësirës, kalin në qendër dhe kalorësin e shtrirë të ndriçuar nga rrezet e një llambe. Përpos kësaj, në të majtë shihet një dem, një nën që vajton me fëmijën që e mban në krahë. Ndërsa në të djathtë një figurë fantazëm e cila mban një dritë. Kurse, më larg vërehen flakët dhe rrënojat që bëjnë një nga figurat gjigante të ulërij.

Kjo pikturë e punuar nga Picasso në vitin 1937, botërisht pasyqron qytetin Guernika në rajonin Bask të Spanjës pas bombardimeve gjermane.

Kjo nuk është piktura e vetme që e ka punuar Murati në Prishtinë. Në mesin e pikturave ka realizuar edhe piktura të tjera të famshme si “The Kiss” të Gustav Klimt, “The Scream” të Edvard Munch, “Starry Night” nga Van Gogh.

“Deri më tani kanë qenë te gjitha vepra te piktorëve të famshëm, ndërsa jam duke planifikuar dhe po punoj për të realizuar disa punime dhe murale origjinale të mijat”, tha Murati.

Arti mural është përdorur në Prishtinë qysh para luftës, si një metodë për të “zbukuruar” zonat gri të qytetit dhe shpërndarjen e mesazheve politike.

Në muajin qershor Ermira Murati dhe rreth 20 artistë të rinj kishin pikturuuar grafite dhe instalime të panumërta nëpër të gjithë kryeqytetin – fillimisht pikturën (The Starry Night) nga Vincent van Gogh e deri te ridekorimet e lezetshme dhe të animuara nëpër shtigjet për këmbësorë të qytetit të Prishtinës.

“Guernika” e Picassos nga Ermira Murati në Prishtinë; Fotografi: Ermira Murati

Valë muralesh dekorojnë qendrën e Prishtinës