Artisti Sislej Xhafa tregon arsyet e pjesëmarrjes në Seminarin e shqipes
Artisti kosovar me famë botërore, Sislej Xhafa, po merr pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po mbahet në Prishtinë.
Gjatë këtij Seminari, Xhafa do të prezantohen me kumtesën, “Arti kosovar në botë”. Këtë kumtesë, ai do ta prezantojë më 22 gusht 2024.
Për Xhafën, ftesa për të prezantuar sukseset e artit kosovar në botë është sfiduese, por njëkohësisht edhe nder.
“Seminari i Gjuhës shqipe është një seminar që ka një histori. Për mua ka qenë nder edhe sfidë, për shkak se gjuha jonë është vizuele. Ne e krijojmë një gjuhë tonën me një dimension tjetër … Për mua është një sfidë, është një kënaqësi, kështu që po e ndjejë vetën shumë të nderuar” – ka thënë Xhafa, për KALLXO.com.
Shumë artistë kosovarë, sikurse Xhafa janë duke korrur suksese në skenat botërore. Gjatë prezantimit të tij, në kuadër të Seminarit, Xhafa do të ndajë me publikun përvojat e tij, sukseset dhe rëndësinë që ka arti qoftë në aspektin individual ashtu dhe në atë kolektiv.
Xhafa e sheh shumë të rëndësishme që audienca kosovare të njihet me këto suksese.
“(Prezantimi) Është shumë i rëndësishëm për shkak se gjuha e arteve, gjuha e artit në përgjithësi është ndërkombëtare, por nëse buron prej thellësisë, nga vini, nga vijmë ne- e ajo i jep edhe një peshë më të madhe për shkak se suksesi individual është edhe reflektim kolektiv- është gjithmonë një mrekulli. Kështu në përgjithësi, individë, jashtë që punojnë, edhe brenda që punojnë, po kanë një origjinalitet, një dallueshmëri të jashtëzakonshme. Ata gjithmonë janë afër një dritareje të oportunitetit të komunikimit me botën”- ka thënë ai.
Xhafa është edhe dizajnuesi i logos së këtij edicioni të Seminarit. Për dallim nga edicionet e kaluara, Hyjnesha, simboli i Seminarit paraqitet në pozicion të shtrirë, me një jastëk nën kokë.
“Kur më kanë ftu me dizajnu logon për sivjet, më kanë tregu që ky është një simbol i seminarit. Dhe, ajo historia e seminarit dhe suksesit të një thellësie që është gjithëkombëtare, kam thënë: ah, atëherë e meriton pak me pushu, pak me flejt. Pra me shndërrua atë simbol jo vetëm në një relacion të mitologjisë tonë, historik, por të jetë shumë e afërt me neve- se është e jona, na reflekton. Kështu që është me rëndësi që hyjnesha më flejt pak, me pushu”.- wshtw shprehur Xhafa.
Seminari i 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare Sislej, ka nisur më 19 gusht 2024 dhe mbyllet më 30 gusht 2024.