Ismet Bogujevci. Foto: Rigon Bogujevci

Artistët të pikëlluar për vdekjen e Ismet Bogujevcit

Ka vdekur sot këngëtari i njohur i muzikës popullore, Ismet Bogujevci.

Artistët kosovarë janë shprehur të pikëlluar mer rastin e vdekjes së mikut të tyre.

Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Nystret Muçiqi, Afrim Muçiqi, Violetë Kukaj, Adelina Thaçi, Robert Berisha janë disa nga emrat e skenës muzikore që kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e artistit, shkruan rtv21.tv

Këngëtari Ismet Bogujevci është lindur më 09.04.1952 në Podujevë. Aktiviteti i tij artistik, ai e ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike ‘’Josip Rela’’ në Podujevë. Ka qenë viti 1972 kur ai ka hyrë furishëm si këngëtar, por dhe si aktor meqë shoqëria ‘’Josip Rela’’ ka pasur shtrirje në dy fusha permanente – muzikë dhe aktivitete teatrore – dramatike.

‘’Halili dhe Hajria’’ në rolin e Qatipit, është kjo dramë e njohur, në të cilën Bogujevci ishte shfaqur për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës. Pastaj, aty janë njohur me Avdush Hasanin, me Maliq Musën dhe shumë emra tjerë që kanë dal nga kjo shoqëri. Bogujevci ka vazhduar aktivitetin e tij artistik – muzikor në shoqërinë ‘’Ramiz Sadiku’’ ndër vite në Prishtinë dhe rajonin ballkanik.

Jehu i tij muzikor është dëgjuar anekënd skenave ku ka frymuar muzikë popullore, ndërsa ai është shquar për origjinën e këngës e sidomos për origjinalitetin intonativ dhe interpretativ. Këngët e tij do të ngelen testament monumental për kulturën e muzikës popullore dhe për vlerat e gjithëmbarshme të shoqërisë kosovare dhe asaj shqiptare.

Në vitet 80 -ta, ai së bashku me një grup artistik muzikor dhe me orkestrën popullore të Radio Televizionit të Prishtinës, me një kastë të përzgjedhur këngëtarësh, më eminentët e kohës, kanë shtrirë aktivitetin e tyre muzikor – turne brenda gjithë qyteteve Shqipërisë. Bogujevci si solist muzikor ka fituar një mori çmimesh përfshirë – çmimim – mikrofoni i artë,  në akordet e Kosovës.

Që nga viti 2000, ka punuar si solist – këngëtar në ‘’Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shota’’ ndërsa, nga viti 2012 – 2013 ka qenë UD – Drejtor i ‘’Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Shota’’, periudhë kjo, për gjatë së cilës, ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë këto vende: Turqia, Italia, Bullgaria.

Pra, duke ju falenderuar përkushtimit të tij, viti 2012, shenon një ndër vitet më të sukseshme të jetës artistike 50 – vjeçare të AKKVSH -së, ku janë shpërblyer me dy çmime: vendi i pare: “syri i artë” në Bursa dhe vendi i dytë në Buyukçekmeçe, të Turqisë. Ismet Bogujevci ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues në AKKVSH që nga viti 2014. Në vitin 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ismet Bogujevcin e ka shpallur Doajen të Ansamblit – Shota./Rtv21