Jeta Rexha, profesoreshë e Psikologjisë

Arti në mësimdhënie, formë për zhvillimin të mendimit kritik

Çdo të premte, nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë përdorin klasën virtuale për të debatuar rreth fenomeneve sociale dhe kulturore.

Jeta Rexha, profesoreshë e psikologjisë në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, ka pesë javë që krahas mësimeve online me nxënësit, organizon formatin e debatit ‘Karl Popper’ për zhvilluar të menduarit kritik, kulturën e debatit, punën ekipore, aftësitë e komunikatave dhe inteligjencën emocionale te nxënësit. E gjitha kjo realizohet përmes analizimit të filmave dokumentarë, të prodhuar nga  DokuFest.

Sipas profesoreshës së psikologjisë, mësimdhënia është art dhe shkencë dhe se ajo kërkon krijimtari, frymëzim, talent, intuitë se dhe pak prej tyre mund të mësohen.

“Me anë të këtij aktiviteti synohet të përcillet rëndësia që ka pikërisht zhvillimi i këtyre aftësive e shkathtësive, duke iu dhënë një mundësi atyre për t`u shprehur për çështje të ndryshme me të cilat përballet shoqëria jonë”.  Përpos kësaj sipas profesoreshës, ky aktivitet ka  avantazh  në kujdesin e shëndetit mental duke i mbajtur nxënësit larg nga ankthi, stresi, paniku apo presioni psikologjik që po shkakton izolimi.

Rinesa Rexha, nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë tha se ky aktivitet i ka mundësuar që të “thyejë monotoninë” e  mësimit rutinor dhe të zhvillojë aftësitë hulumtuese.

“Filmat e përzgjedhur nga arsimtarja e lëndës për t’i debatuar ,janë filma shqiptarë të punuar nga DokuFest. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse ne shikonim filmat dhe ata ishin plotësisht të njëjtë me realitetin e shoqërisë tonë kosovare. Pastaj edhe debatimi ishte me i lehtë sepse kishim një argument për t’u bazuar”, tha nxënësja e cila ndjek vitin e dytë në shkencat natyrore.

Shkolla “Hajdar Dushi”, Gjakovë

Filmat që shfaqen në debate janë  falë mbështetjes së Festivalit DokuFest, i udhëhequr nga DokuLab i cili ofron program falas përdorimin e mjeteve audiovizuale për mësimdhënës dhe nxënës të shkollave të Kosovës. Sipas udhëheqësit të DokuLab Eroll Bilibani, të gjithë filmat janë prodhuar kryesisht nga kineastë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina. Filmat që janë shfaqur deri tani janë: “Burrë”, “Nën Duvak”, “KosovaTrans”,”Ergys”, “Pa vlla” etj. Temat që trajtojnë  janë steriotipet gjinore, martesat e hershme, vlerat e familjes, barazinë, kushtet sociale, mashkulloritetin toksik, transeksualitetin etj.

Realizimi i debateve

Sipas organizatores së debateve Jeta Rexha këto debate janë  reformim i arsimit në Kosovë dhe se mësimdhënësit duhet t`i përshtaten këtyre reformave në mënyrë që nxënësit përveç njohurive që marrin për lëndë të caktuara, të zhvillojnë edhe disa aftësi apo shkathtësi të tjera .

“Në këtë aktivitet marrin pjesë gjithsej 18 klasë, nxënësit maturantë dhe paramaturantë. Çdo javë ballafaqohen dy klasë, me paralele të njëjta, me nga tre nxënës secila klasë. Fillimisht bëhet përzgjedhja e filmit. Nxënësit shohin filmin individualisht dhe bazuar në tematikën e filmit dhe pastaj vendoset edhe tema për diskutim.. Atë ditë që zhvillohet debati, nxënësit paraprakisht janë ndarë në dy grupe. Njëri grup mbron idenë për një çështje të caktuar. Kurse grupi tjetër e kundërshton idenë. Ky debat ka tri faza: faza e argumentimit në të cilën secili nxënës individualisht, sjell nga dy argumente varet prej pozicionit që i është caktuar. Pastaj është faza e replikave. Dhe në fund faza e të bërit të pyetjeve” shpjegoj Rexha për KALLXO.com.

Ndërsa për të dhënë komente  rreth debateve pjesëmarrës është edhe ekipi i DokuFest.

“Ekipi i DokuFest është i ftuar rregullisht që të ofrojë komente konstruktive, duke komentuar të metat logjike, provat e pamjaftueshme ose argumentet që debatuesit mund të kenë anashkaluar” tha Bilibani.

Gjimnazisti i vitit të dytë, Adonis Bubani  tha se këto debate po rrisin mendimin kritik esencial dhe aftësitë prezantuese.

“Mundësia për t’u fokusuar në një temë të caktuar dhe të krijosh një kundërpërgjigje në interval të shkurtër kohor, po nxit  aktivitetin tim psiqik në mënyrë të qetë dhe të qartë, dhe po e zhvilllon aftësinë e dëgjimit aktiv” tha ai.

Ndërsa sipas nxënëses Mirela Bunjaku ky aktivitet po i bënë nxënesit që të jenë vazhdimisht të angazhuar dhe të fitojnë aftësi komunikuese.

“Më ka ndihmuar në këtë gjendje duke ma mundësuar të merrem me dicka të re dhe njëkohësisht interesante” tha Bunjaku.

Ky format i debatit është zhvilluar edhe në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan dhe sot pritet të organizohet edhe në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.