Artane Rizvanolli themelon Komitetin Teknik Emergjent për minimizim të pasojave nga kriza energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Komiteti përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve të energjisë.

“Duke u bazuar në situatën energjetike në Kosovë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent (KTE) që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë. Komiteti ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave  nga  kriza energjetike” – thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë, Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje: përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO).

Tutje, në komunikatë potencohet se në mbledhjen e parë, Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK t’i ofrojë KEDS-it energjinë e siguruar, sipas kushteve të parapara në MFSH.

Komiteti ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente.