Foto: Atdhe Mulla

Artan Muhaxhiri: Koalicioni AAK-PSD, presion ndaj partive të mëdha

Analisti politik Artan Muhaxhiri në një përgjigje për KALLXO.com ka folur për aktualitetin politik në vend dhe koalicionet e mundshme parazgjedhore në mes të partive.

Muhaxhiri, problemin kryesor të koalicioneve në Kosovë e sheh që qëndron tek mungesa e harmonizimeve afatgjate vlerore dhe ideologjike në mes partive.

Sipas tij, edhe koalicioni AAK-PSD të cilat e lidhvn dje një marrëveshje parazgjedhore për koalicion, do ta ketë një problem të tillë.

“Sistemi politik në Kosovë është dizajnuar në atë mënyrë që t’i bëjë të domosdoshme koalicionet. Nuk ekziston ndonjë format i “Boshtit të Majtë” dhe “Boshtit të Djathtë”, që do të mund t’i shtynte partitë të bashkëpunonin edhe atëherë kur zgjedhjet nuk duken në horizont. Koalicionet e gjertanishme qeveritare janë realizuar nga partitë të cilat deri në momentin e zyrtarizimit të bashkëqeverisjes kanë qenë kundërshtare të ashpra dhe reciprokisht kanë përdorur diskurse të vrazhda. Ironia qëndron në përsëritjen kontinuale të kësaj praktike”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, koalicioni në mes të partisë së Shpend Ahmetit dhe të Ramush Haradinajt do të shkaktojë presion ndaj partive tjera të mëdha.

Ai ka thënë se LDK -ja dhe Lëvizja Vetëvendosje mund të shkojnë të vetme në zgjedhje, për t’u lënë hapësirë koalicioneve paszgjedhore.

“Koalicionet parazgjedhore nënkuptojnë kompromise të konsiderueshme, prandaj ekziston opsioni që LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje të shkojnë të vetme në zgjedhje në mënyrë që të kursehen nga kompromiset parazgjedhore për t’iu lënë hapësirë vetëm atyre paszgjedhore”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka folur edhe për ‘hezitimin’ e partive tjera për të hyrë në koalicion me PDK-në.

Mungesa e transformimit të thellë, sipas Muhaxhirit, ka bërë që PDK-ja të mos konsiderohet partnere e besueshme në këtë etapë.

“PDK-ja ka e ka përmbyllur një cikël të gjatë të pushtetmbajtjes, që është identifikuar edhe me afera korruptive dhe keqpërdorime të llojllojshme institucionale. Mungesa e transformimit të thellë, i cili do të përfshinte ndryshime kuptimplota në postet e udhëheqësisë partiake dhe avancim të mentalitetit politik, ka bërë që PDK-ja të mos konsiderohet partnere e besueshme”, ka thënë Muhaxhiri për JnK.

Muhaxhiri thotë se as koalicionet më të çuditshme nuk paraqesin befasi, pasi spektri kosovar vazhdimisht ka shumë luhatje dhe zhvendosje pozicionesh, shpesh edhe për 180 shkallë.

“Dëmi më i madh në proceset e krijimit të qeverive kosovare vjen nga improvizimet e skajshme që ndodhin në momentet e fundit, kur suspendohen pothuajse të gjitha kriteret e normalitetit politik dhe bëhen lëshime që pastaj shkaktojnë shumë probleme funksionale”, ka vlerësuar analisti Muhaxhiri.

Ditën e djeshme PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, zyrtarizuan nëpërmjet një konference për media, koalicionin në mes të dyja partive, ku Haradinaj do të jetë bartës i listës.

Të dy liderët e quajtën koalicion të fitores dhe se do të jetë shpresë për qytetarët e Kosovës.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, edhe pse vazhdimisht ka pasur zëra se do të hyjnë bashkë në koalicion, ende nuk kanë zyrtarizuar asgjë.

Ndërsa PDK-ja e Kadri Veselit vazhdon të jetë e ‘heshtur’.