Artan Govori pretendon se u sulmua nga Agim Ademi, ky i fundit e mohon

Policisë së Kosovës sot i ka dal punë në zyrat e Federatës së Futbollit të Kosovës pas ankesës së një zyrtari të këtij institucioni se është sulmua fizikisht.

Zyrtari i FFK-së, Artan Govori ka pretenduar se është sulmuar fizikisht nga kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ky i fundit e ka mohuar.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke e trajtuar rastin

Në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com, Artan Govori ka thënë se sot rreth orës 13:00 është sulmuar fizikisht brenda objektit të federatës nga kryetari Agim Ademi.

“Po është e vërtetë, sot jam sulmuar nga Agim Ademi në objektin e Federatës së Futbollit të Kosovës”, ka thënë Govori për KALLXO.com.

Govori thotë se ka dorëzuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës.

“Sulmi ka ndodhur për arsye se Agim Ademi mundohet me caktu se kush me kë duhet të rrijë”, thotë Govori.

Govori ka thënë se Agim Ademi nuk e din se çfarë pozite kanë punëtorët e tij.

Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka mohuar se ka sulmuar fizikisht Govorin.

Sipas tij, ka qenë një debat për punët e përditshme dhe jo sulm fizik.

“Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin”, thuhet në reagimin e Ademit.

Sot gjatë ditës, Gramoz Vokrri edhe zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për të parin e FFK-së.

Gramoz Vokrri ka arritur të mbledh 16 nënshkrime. KALLXO.com ka  bërë publike emrat e klubeve dhe ligave rajonale që kanë dhënë nënshkrime për Vokrrin.