Arsyetimi i vendimit të Apelit për Gucatin dhe Haradinajn

Paneli i Gjykatës së Apelit sot ka marrë vendim që ta ulë për 3 muaj dënimin e shqiptuar ndaj dy ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Hardinaj.

Gjykata në këtë mënyrë ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

 Gucati dhe Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Por me vendimin e marrë nga shkalla e dytë, Gucati dhe Hardinaj do të qëndrojnë në burg 4 vjet e 3 muaj burgim.

Në bazë të Rregullës 185, ky vendim ka efekt të menjëhershëm.

“Trupi gjykues nuk gaboi në përcaktimin e dënimit të të akuzuarve mbi bazën e fajësisë së shpallur” – ka cituar gjykatësja.

Gjykata ka arsyetuar se paneli nuk gaboi lidhur me peshën e veprave penale të cekura në aktakuzë ku vlerësoi me kujdes provat dhe të gjithë akterët lidhur me kryerjen e veprave penale.

Gjatë arsyetimit paneli theksoi se të akuzuarit nuk kanë arritur të provojnë gabime në konstatimet e trupit gjykues.

“Trupi gjykues nuk gaboi në konstatimet e veta në lidhje me peshën dhe veprat përfshirë në aktakuzë”-tha mes tjerash gjykatësja Michele Picard.

Gjykata ka rrëzuar interpretimet e mbrojtjes sa u përket pikave të akuzës për veprat – zbulimi i fshehtësisë zyrtare, zbulimi i paautorizuar i identitetit të dëshmitarëve, frikësimit gjatë procedurës penale dhe pengimi i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me kërcënim të rëndë.

Në anën tjetër, gjykata ka theksuar se disa nga ankesat e mbrojtësve janë të bazuara si ajo në bashkimin e veprave penale.

Sipas këtij vendimi Gucati dhe Hardnaj do të mbeten në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë.

Krerët e OVL-UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022, u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe 100 euro gjobë.

Ata u gjetën fajtor se mes datave 7 dhe 25 shtator 2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se gjatë shtatorit të vitit 2020 bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë duke i quajtur ata ndër të tjera gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata po ashtu akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së duke inkurajuar të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas akuzës Gucati e Haradinaj mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK