Arsyetimi i Supremes “me një klikim në google” që la jashtë listës kandidatin e NDS-së

Gjykata Supreme e Kosovës e ka nxjerr një aktgjykim i cili ia pamundëson garimin në zgjedhje Emin Nezirajt me partinë “Nova Demokratska Stranka”. Kjo, pasi sipas vendimit, Neziraj nuk i përket komunitetit boshnjak, por shqiptar.

Ky vendim erdhi pasi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ankua partia “Socialdemokratska Unija” e Duda Balje. Ky subjekt politik ankimoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pati certifikuar listën e partisë NDS, e ku Neziraj mbante numrin 12 si kandidat për deputet.

E në arsyetimin e Gjykatës Supreme është përmendur se Emin Neziraj ishte vetëdeklaruar se është shqiptar, me një publik në internet.

“Nga bashkëngjitja e përgjigjes në ankesë të biografisë së kandidatit Emin Neziraj, e cila konfirmohet nga një klikim në google në emrin Emin Neziraj, gjendet biografia e tij, ku përkatësinë e tij etnike e ka përcaktuar si shqiptar”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Madje, në këtë dokument thuhet se argumentet e ofruara nga partia dhe Neziraj, nuk janë të besueshme, ani se ato janë dokumente zyrtare të Kosovës.

“Në këtë kontekst janë vlerësuar edhe pretendimet në ankesën e parashtruar në Gjykatën Supreme, ashtu që pretendimet kandidatit në fjalë janë vlerësuar të pathemelta, sepse konfirmimet e lëshuara nga Zyra për Komunitet dhe Kthim si dhe subjekti politik “Nova Demokratkska Stranka” (NDS), nuk janë dokumente të besueshme për të përcaktuara se cilit komunitet i takon kandidati i decertifikuar”, thuhet në aktgjykim.

Por, me këto konstatime të Supremes nuk është pajtuar Emin Neziraj. Ai ka thënë se në CV-në e tij, çdo herë është deklaruar si boshnjak, ndërsa për CV-në në të cilën është referuar Gjykata Supreme, thotë se nuk e ka publikuar vetë ai.

“Jam tepër i zhgënjyer në institucionet tona që vendimin e sjellin mbi një klikim në google ku gjendet CV-ja ime që është me qellim e ndryshuar nga dikush tjetër. Po them që në CV-në time gjithmonë jam deklaruar si boshnjak ndërsa Gjykata Supreme nuk ka marrë parasysh vërtetimin ligjor, ku është shkruar identiteti im që jam boshnjak. Me këtë ju bëjë thirrje ambasadave në Kosovë të përcjellin çështjen time”, ka thënë Neziraj për KALLXO.com, pasi e kuptoi se institucioni i drejtësisë mori vendim që ai mos të certifikohet përfundimisht si kandidat për deputet.

Ky është vendimi i plotë i Supremes ndaj Emin Nezirajn.

VIDEO: Ankesa e Duda Baljes i nxerr telashe kandidatit të NDS-së