Arsyetimi i pronarëve të bizneseve para ATK-së për mosregjistrimin e punëtorëve

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje të aksionit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kundër bizneseve me punëtorë pa kontrata.

Aksioni është kryer nëpër disa qytete të Kosovës.

Inspektorët e ATK-së fillimisht kontrollojnë bizneset në rajonin e Fushë-Kosovës, për të vazhduar me Prishtinën.

Në një kafiteri inspektorët kërkojnë letërnjoftimet e të gjithë punëtorëve, njëri prej tyre thotë se nuk e posedon kartën e identitetit.

Pronari thotë se ai e ka filluar punën para 3-4 ditësh dhe se nuk ka kontratë, me arsyetimin se punëtori i tij ka bërë kërkesë për kontratë dhe se është praktikant.

Inspektorët kanë konstatuar se në këtë biznes, nga 6 punëtorë prezentë në lokal, 2 prej tyre nuk janë të regjistruar në listën e pagave.

Në një tjetër kafiteri në Fushë-Kosovë, inspektorët e ATK-së kanë gjetur se jo të gjithë punëtorët janë të përfshirë në listë të pagave.

Punëtori në këtë biznes ka thënë se do ta njoftojë shefin e tij për kërkesat ligjore të inspektorëve që dy punëtorët të pajisen me kontrata pune.

Inspektimi i radhës i ATK-së kryhet në sektorin e hotelerisë, ku në një biznes 1 punëtor nuk është i regjistruar, ndërsa 3 të tjerë kanë kontrata.

Inspektorë të tjerë të ATK-së kanë vijuar inspektimet në kryeqytet, me fokus rastet për mosregjistrim të punëtorëve nga ana e bizneseve.

Në një biznes në Prishtinë, pronari arsyeton mungesën e kontratës për një punëtor.

“Për momentin është një punëtor i paregjistruar, ka ardhur dje. Punëtori tjetër nuk ka dalë ende, kontabilisti po merret me të. Një punëtor ka dalë prej punës, ka ardhë një tjetër”, tha ai.

“Kallxo Përnime” në dy emisione të kaluara kishte raportuar se si në Drenas, Skenderaj dhe Lipjan ATK-ja kishte arritur të zbulojë dhjetëra raste ku punëtorët angazhoheshin në kafiteri pa kontrata të punës, duke iu shkelur të drejtat e tyre.