Arsyetimi i prokurorit për lirimin e të përfshirëve në rrahjen në qendrën tregtare në Prizren

Në rastin e rrahjes në qendrën tregtare në Prizren, ku u përfshi punëtori i sigurimit dhe disa pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, prokurori i rastit, Beqë Shala, ka dhënë arsyet se pse pak orë pas ngjarjes janë liruar të përfshirët në rast.

Shala ka theksuar se Policia ka shpjeguar se punëtorët e sigurimit janë sulmuar, njëri prej tyre ka pësuar lëndime dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për t’u intervistuar.

Lëndimet sipas prokurorit Beqë Shala kanë qenë të lehta në të dy anët dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që prokurori nuk kishte kërkuar ndalim e të dyshuarve në këtë rast.

“Nga raportimi, nga prezantimi i tyre, lidhur me rrjedhën aq sa ka pasur mundësi të raportohet nga ana e tyre, është thënë se të dy palët si nga ana e qytetarëve ashtu edhe nga ana e dy punëtorëve të sigurimit të cilët kanë qenë në përkujdesje që qytetarët të jenë të pajisur me maska, të njëjtit janë raportuar se të dy palët janë të dyshuar. Kanë qenë në ndalim 6 orë”, tha prokurori.

Shala mohoi të ketë ditur se në rast janë përfshirë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

“Jo, as që është diskutuar rreth asaj që janë të një përkatësie etnike, por vetëm qytetarë të rëndomtë të cilët për shkak të mosrespektimit të masave janë futur në konflikt me punëtorët e sigurimit”, tha ai.

Shala në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se Policia është duke u marrë me rastin.

Në emision po diskutohet për stigmatizimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.