Arsyetimi i Përparim Ramës për ngritjen e çmimeve në parkingun nëntokësor

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se arsyeja se përse u pajtua që të ngriten çmimet në parkingun nëntokësor te kampusi i Universitetit të Prishtinës, është për të mos i bërë konkurrencë ndërmarrjes së Komunës ‘Prishtina Parking’.

Rama në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se këto çmime janë një lloj balancimi në mes të asaj që ndodh në rrugë dhe brenda në parking.

“Kjo ka qenë balancim mes asaj që ndodh në rrugë dhe brenda në parking. Në këtë projekt është partner edhe Komuna e Prishtinës me 15% të të hyrave. Nuk kemi dashur që konkurrencë me qenë një kompani që kemi  përqindje më pak se ndaj kompanisë së kryeqytetit. Pra ky ka qenë vendim i përbashkët që të mos jenë konkurrent i ‘Prishtina Parking’ ku jemi askionar 100%”-  ka thënë Rama.

Rama tutje shtoi se parkingu është duke u populluar çdo ditë e më shumë pasi sapo është hapur dhe njerëzit duhet të mësohen që aty ka parking.

“Nuk është e vërtetë qe parkingu nuk po popullohet, ai sapo është hapur. Nuk popullohet diçka që është e re, derisa njerëzit të dinë se aty është parkingu”- shtoi Rama.

I pari i kryeqytetit potencoi se përderisa u lejojmë qytetarëve qasje në qendër ata nuk e paguajnë parkingun në rrugë.

Sipas tij, do kalojë kohë që njerëzit të mësohen që ecja nuk u merr kohë, e ndoshta me makinë vonohen më shumë.

KALLXO.com ka publikuar hulumtimin më 15 nëntor 2022 se çmimi më i lirë për parkim ishte kriteri përcaktues për përzgjedhjen e konsorciumit “Parking Center” për ndërtimin e parkingut nëntokësor në qendër të Prishtinës. Por, ende pa u inauguruar projekti, çmimet u shtrenjtuan.

Parkingu nëntokësor tek kampusi i Universitetit të Prishtinës është hapur në muajin nëntor.

Sipas të dhënave, çmimet variojnë nga 15 euro dita në 2,500 euro abonimi vjetor.

Qëndrimi deri në 15 minuta në këtë parking është pa pagesë, një orë kushton një euro, kurse për 12 orë, çmimi është 10 euro e 40 centë. Derisa, 15 euro kushton parkimi për 24 orë. Abonimi javor në këtë parking është 90 euro, kurse abonimi mujor 250 euro.

Për periudhën 6-mujore, pagesa shkon deri në 1, 350 euro, kurse abonimi për një vit 2 ,500 euro.

Në kontratën e nënshkruar në vitin 2019, konsorciumi dhe Komuna e Prishtinës ishin pajtuar që çmimi për parking të një veture për një orë të ishte 0.80 Euro, ndërsa tash ky çmim është bërë 1 euro apo një rritje prej 25%. Ka raste kur çmimi për parking është rritur deri në 50%.

KALLXO.com ka analizuar kontratën e plotë për parkingun nëntokësor te kampusi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e cila mban datën 30 shtator 2019 mes Komunës së Prishtinës dhe “Parking Center”.

Njësoj si Komuna, edhe Fazliu thotë se çmimet janë ngritur për shkak të ndryshimeve të përshtatjes me tregun edhe se çmimi i ndërtimit për shkak të inflacionit është ngritur.

Çmimet e parkimit sipas kontratës së vitit 2019 janë më të ulëta në krahasim me ato që po prezantohen sot.

80 centë ka qenë e paraparë të kushtojë një orë qëndrimi, përderisa sot është 1 euro, pra 20 centë më shtrenjtë.

I gjithë investimi në 1.4 hektar tokë të Komunës, në qendër të kryeqytetit, kap vlerën mbi 10 milionë euro nga xhepi i kompanisë private. 15 për qind të të hyrave i takojnë Komunës. Pra, Komuna nuk ka marrë pjesë në asnjë pjesë të investimit përveç dhënies së pronës për 35 vite.

Dilemat ‘mbitokësore’ për parkingun nëntokësor