Arsyetimi i ministres së Tregtisë për ngritjen e çmimeve të produkteve bazike

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka folur për rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe tha se kjo po ndodh për shkak të rritjes së inflacionit të importit.

“Departamenti i Tregut ka sjellë konkludimet se këto rritje të çmimeve janë për arsye të rritjes së inflacionit nga kriza botërore e pandemisë COVID-19 dhe siç e dini në Kosovë janë 90 për qind të mallrave import, ku kryesisht është konsumi familjar, ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet kur jemi 90 për qind importues të mallrave”, shtoi ajo.

Hajdari në debatin e organizuar nga “Lëvizja FOL”, ka folur edhe lidhur me vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“Ligji për tregtinë me jashtë i cili është miratu nga Qeveria dhe do të hidhet në votim të dytë së shpejti nga Parlamenti do të ndihmojë vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë”, ka thënë Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë teksa foli për të arriturat e kësaj minisrie shtoi se adresimi i ankesave të konsumatorëve është rritur.

“Gjatë vitit 2021 kemi pasur 300 përqind më shumë ankesa të konsumatorëve të adresuara sesa në vitin paraprak”, ka thënë ajo.

Hajdari tha se inspektimet do ta ndihmojnë të bërit biznes në Kosovë. Ajo tha se inspektimi është shtuar nga viti në vit.

“54 për qind është rritja e inspektimeve për vitin 2021. Nga 1690 inspektime të vitit 2020 në këtë vit kemi 2600 inspektime”, tha ajo.