Arsyetimi i ministres Gërvalla për gabimet drejtshkrimore në 'Twitter'

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se limiti prej 270 karaktereve në rrjetin social “Twitter” ka bërë që postimi i djeshëm të ketë gabime drejtshkrimore.

“Përpjekja për të futur në 270 shkronja një mesazh të komplikuar duke lënë anash të gjitha lidhëzat, ka shkaktuar një tekst që është…. ju jap të drejtë. Ashtu është. E kemi marrë të njëjtin tekst e kemi zgjeruar. I kemi futur lidhëzat. Është i njëjti mesazh. Mendoj që kemi një tekst të kuptueshëm”, ka thënë ajo.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dje ka reaguar për rrëmbimin e aeroplanit në Bjellorusi dhe arrestimin e një gazetari disident.

Ky reagim ka marrë kritika në rrjetet sociale, pastaj është fshirë nga ministria për t’u publikuar prapë i përmirësuar.

Ky është statusi i publikuar dje në twitter në llogarinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

“Ekzistojnë shqetësime në rritje edhe për një Serbi më agresive. Serbia mori 30 tanke shtesë dhe 30 transportues ushtarak nga Rusia. Retorika e presidentit Vuçiq është armiqësore. NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ndërmarrin masa për të mbrojtur aleatët e saj. Kosova është e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në postimin e MPJD-së.