Arsyetimi i mësuesit nga Vitia i cili shfaqet në pamje duke e rrahur nxënësen

Pas publikimit të pamjeve KALLXO.com ka arritur të zbardhë edhe pjesë nga deklarata të cilën mësuesi e ka dhënë në polici pak orë pas ngjarjes.

Mësuesi i cili ishte filmuar tek godiste me shuplaka një nxënëse të klasë së tetë ka thënë se goditja ka ardhur pasi ai ishte nervozuar me sjelljen e nxënëse së tij.

KALLXO.com mëson nga burime brenda policisë se arsimtari ka deklaruar në prani të avokatit të tij mbrojtës se, nxënësja e kishte imituar gjatë orës mësimore.

Kjo sipas tij ka qenë arsyeja që ka ushtruar dhunë ndaj nxënëses e cila siç shihet në pamjet e publikuara nga KALLXO.com,  pasi rrahet nga arsimtari e njëjta tenton të lë klasën por i njëjti nuk e lejon dhe e shtynë ndërsa nxënësja bie mbi karrigen e saj.

Në lidhje me këto veprime të arsimtarit, policia dhe prokuroria kishte nisur menjëherë hetimin pas interesimit të mediave, ndërsa për KALLXO.com, Kryeprokurori i Prokurorisë në Gjilan, Arben Kadriu ka thënë se me të pranuar informacionet kishin autorizuar organet e rendit që ta identifikojnë dhe intervistojnë të dyshuarin në këtë rast, arsimtarin.

Rasti u bë publik pasi dhuna fizike ndaj nxënëses nga arsimtari ishte xhiruar brenda klasës.

Ngjarja sipas një qytetari që ka dërguar videon në KALLXO.com, ka ndodhur në mes të kësaj jave ndërsa rasti nuk ishte raportuar askund, as në shkollë e as në polici.

Arsimtari është arrestuar në orët e mbrëmjes së kaluar për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

 

Pamje të rënda, arsimtari nga Vitia e rrah nxënësen