Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Arsyetimi i Gjykatës për hedhjen e aktakuzës në rastin e të dyshuarve për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata e Prishtinës, Departamenti për të Mitur, ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë personave të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares.

KALLXO.com raportoi për hedhjen poshtë të aktakuzës nga Gjykata e Prishtinës.

Hedhjen e aktakuzës Gjykata e ka arsyetuar me faktin se pikat e aktit akuzues të paraqitur nga Prokuroria janë të paplota.

Gjykata kishte ndërprerë shqyrtimin fillestar për shkak që kishte vlerësuar që akti akuzues nuk i plotësonte kriteret e kërkuara ligjore.

Tutje Gjykata ia kishte kthyer aktakuzën Prokurorisë për plotësim, por me këtë vlerësim të Gjykatës nuk ishte pajtuar Prokuroria.

“Me datën 11.01.2023. Gjykata ka pranuar një njoftim të paraqitur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për të mitur. Organi i ndjekjes në këtë njoftim ka theksuar që akti akuzës përkatësisht aktakuza është në përputhshmëri në dispozitat ligjore dhe nuk ka arsye që akti akuzës të kthehet në plotësim dhe korrigjim…” -thuhet tutje në arsyetimin e Gjykatës.

Pra, sipas Prokurorisë, Gjykata nuk mund ta kthejë aktin akuzues gjatë shqyrtimit fillestar

“Tutje prokuroria kishte njoftuar gjykatën duke thënë se gjykata ka mundur ta kthen aktakuzën në plotësim para caktimit të seancës së shqyrtimit fillestar por nuk e ka bërë këtë, por gjatë seancës së shqyrtimit fillestar pasi që të pandehurit janë njoftuar me të drejtat e tyre dhe janë marrë të dhënat personale ka theksuar se aktakuza përkatësisht propozimi ka mangësi dhe përshkruan vërejtjen e theksuar nga gjyqtari për të mitur”- thuhet tutje në arsyetim.

Prokuroria ka theksuar se më 27.12.2022 ka pranuar kërkesën për përmirësimin dhe korrigjimin e aktakuzës në të cilin nuk ceket se është mbajtur shqyrtimi fillestar.

Gjykata ka gjetur se aktakuza në pikat për të cilat specifikohet nuk është mjaftueshëm e qartë, është e ngatërrueshme dhe përshkrimi faktik nuk përputhet qartazi me kualifikimin juridik të veprave penale.

Për këtë rast të akuzuar janë edhe tetë persona (grupi i dytë). Ndaj tyre Prokuroria ka ngritur aktakuzë në muajin dhjetor të vitit 2022.

Prokuroria të akuzuarin E. R. e ngarkon me veprat penale – shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit, dhe – trafikimi me njerëz.

Ndërsa, të akuzuarin Sh.K. e ngarkon me veprën penale – shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit.

Prokuroria në atë kohë kishte njoftuar se njërin nga të miturit e ngarkon me veprat penale – dhunim; trafikimi me njerëz, dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Kurse dy të miturit e tjerë i ngarkon me veprat penale – dhunimi, dhe – keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Detaje të tjera nga dosja e siguruar nga KALLXO.com

Në një park të kryeqytetit një vajzë 11-vjeçare përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.

Kështu përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prekte me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të Prokurorisë, dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Lidhur me këtë rast deri më tani janë arrestuar vetëm dy të dyshuar përderisa të tjerët vazhdojnë të jenë në arrati.

Sipas organit ndjekës njëri nga të dyshuarit është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale.

Lajme të tjera me rëndësi lidhur me këtë rast mund ti ndiqni në këtë LINK.