Foto-ilustrim

Arsyetimi i Gjykatës për dënimin me burg të ish-shefit të Shërbimeve Publike të Malishevës

Më 21 dhjetor, ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, trupi gjykues  i përbërë nga Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, kishte shqiptuar dënimin prej 6 muaj burgim.

Ismet Mazreku, ish-shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se kishte bërë manipulime me furnizim me kabllo elektrike në fshatin Gajrak të Malishevës, në vlerë mbi 8 mijë euro.

Dënimi prej 6 muaj burgim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumën prej 3 mijë e 400 euro.

Përveç kësaj, i akuzuari u obligua që Komunës t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 8.727.90 euro.

Në fund të procesit, para shpalljes së aktgjykimit, ishte rikualifikuar vepra penale nga keqpërdorimi i pozitës zyrtare në falsifikim të dokumentit zyrtar.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se Gjykata e ka vlerësuar si shmangie nga përgjegjësia penale kur i akuzuari ka thënë që raportimin e pranimit të kabllos e ka bërë pa dalë në terren.

Një gjë të tillë, Gjykata e ka vlerësuar si veprim të kundërligjshëm, pasi që i akuzuari ka qenë në dijeni për të gjitha detyrat e tija të punës.

Sipas aktgjykimit, Gjykata ka vlerësuar se i akuzuari Ismet Mazreku ka vërtetuar se i njëjti ka shëmuar të dhëna të rreme në dokumentin zyrtar duke i vërtetuar ato me nënshkrimin e tij dhe se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, sepse autoriteti kontraktues, pra komuna e Malishevës, ia ka paguar ndërmarrjes shumën mbi 8 mijë euro, edhe pse nga ana e kësaj ndërmarrjeje nuk është bërë furnizimi me kabllo elektrike.

Detyrë e të akuzuarit ka qenë mbikëqyrja me furnizim me kabllo elektrike, e pas furnizimit përpilimi i raportit zyrtar, të cilat detyra sipas Gjykatës i akuzuari nuk i ka përmbushur.

Në aktgjykim thuhet se Gjykata ka vlerësuar rrethanat në shqiptimin e dënimit.

Si rrethanë rënduese, Gjykata ka marrë parasysh moshën e të akuzuarit, pensionist, se s’ka qenë i dënuar më parë, ndërsa rrethana rënduese nuk ka gjetur.

Sipas aktgjykimit, ky dënim është në harmoni me peshën e veprës penale, përgjegjësinë dhe personalitetin e të akuzuarit dhe se me dhënien e këtij dënimi, Gjykata ka bindje se do të arrihet qëllimi i dënimit.

Bëhet e ditur se kundër këtij vendimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh.

Mazreku akuzohet se ka pranuar kabllon e tensionit të ulët ndërsa kablloja është dashur të vendoset e tensionit të lartë, sipas shkresës së raportit.

Ky rast, pasi që kishte marrë verdiktin përfundimtar herën e parë nga Gjykata e Gjakovës, ku ishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim me kërkesën e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë prej 3.400 euro dhe më pas të njëjtin vendim e kishte aprovuar edhe Gjykata e Apelit.

Po ashtu, si obligim tjetër Ismet Mazrekut i ishte dhënë edhe kompensimi i dëmit ndaj Komunës së Malishevës në shumën prej 8.727.90 euro.

Kundër këtij vendimi, avokati i të akuzuarit kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i Gjykatës së Gjakovës nuk përmbante shkelje të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kishin kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe se në të njëjtin aktgjykim ishin dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare.

Po ashtu, sipas Apelit, Gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë e kishte vërtetuar se i akuzuari Ismet Mazreku kishte kryer veprën penale, sepse i njëjti kishte lëshuar fatura se gjoja e kishte blerë kabllon elektrike të fshatit Gajrak sipas kontratës me numër 74, të nënshkruar nga Zyra e prokurorimit publik në mes të Komunës së Malishevës dhe autoritetit kontraktues, e cila kontratë nuk ishte realizuar nga Komuna, por punët për montimin e kabllos elektrike ishin kryer nga KEDS-i.

Mirëpo, pas kërkesës për mbrotje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati i të akuzuarit, Emrush Kastrati, Gjykata Supreme kishte anuluar të dyja vendimet dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën e Gjakovës.

Sipas vendimit të Supremes, arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së parë kishte qenë në kundërshtim me dispozitivin, në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurorimit dhe se i njëjti dispozitiv ishte i pakuptueshëm.

Në vendimin e Supremes thuhet se pretendimi në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë për atë se nuk ishte vërtetuar dashja e të dënuarit në kryerjen e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal është i bazuar.

Gjatë gjykimit, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm për veprat për të cilat e akuzon Prokuroria.

Në këtë rast, KEDS-i pretendon se ata e kanë vendosur kabllon në fshatin Gajrak të Malishevës, mirëpo në anën tjetër Komuna thotë se ka blerë kabllo përmes procedurës së prokurorimit dhe kanë vendosur kabllon në të njëjtin fshat.

Sipas aktakuzës, Ismet Mazreku në cilësinë e shefit të Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e inicimit të kërkesës për furnizim me kabllo elektrike të fshatit Gajrak të komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit nga N.T.Sh “Leoni” në vlerë prej 8.727.90 euro, me kabllo me gjatësi prej 410 metra, të cilën kabllo e kishte pranuar dhe e kishte përgatitur raportin e pranimit për furnizim me kabllo elektrike, por nuk vërtetohet që e njëjta është investuar në fshatin Gajrak të komunës së Malishevës.