Arsyetimi i dorëheqjes së Driton Muharremit nga KGjK

Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Driton Muharremi ka dhënë dorëheqje nga ky institucion.

Përmes një njoftimi për media, KGjK nuk ka dhënë shumë detaje për dorëheqjen e Muharremi, ndërsa tha se qëllimi i dorëheqjes është që KGjK të mbetet institucion i pa kontestuar.

“Z. Muharremi, në deklaratën drejtuar Kryesuesit dhe anëtarëve të KGjK-së, thekson se, jep dorëheqje të parevokueshme me të vetmin qëllim që institucioni i KGjK-së të mbetet i pa kontestuar jo vetëm për publikun, por edhe nga grupet e interesit që kanë tendenca të ndërhyrjes në sistemin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

KGjK do të njoftoj Kuvendin e Republikës së Kosovës për zëvendësimin e anëtarit të dorëhequr.

Muharremi së fundmi u përfshi në skandalin e disa audio-incizimeve të publikuara nga portali “Shqip.com”.

Media online “Shqip.com” ka publikuar pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Në audioiniçizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.

KALLXO.com sot sërish ka provuar të marr një qëndrim nga Muharremi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.

KALLXO.com dje ka raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë kërkesë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të hetojë audio- incizimet të cilat janë publikuar nga media online “Shqip.com” e të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar.