Arsyetimi i Apelit për kthimin në pikën zero të gjykimit të Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje rastin e vrasjes së Agonis Tetajt.

Tetaj ishte vrarë në vitin 2018 në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po dyshohet Shaban Gogaj, i cili është i biri i pronarit të kompanisë.

Gogaj ishte dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burg për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.

Lidhur me këtë vendim, Apeli ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet me shkelje të cilat nuk mund të jenë pjesë përbërëse e çështjes penale dhe të njëjtat aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e bëjnë të pakuptueshëm.

Sipas Apelit, në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

“Kolegji ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar ekzistimin e veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin, si dhe rezulton se në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj lënde penale për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vepra penale e vrasjes së rëndë, nga neni 179 par.1 pika 1.5 të KPK, në veprën penale të vrasjes nga pakujdesia, nga neni 181 të KPK”-sqarohet në aktgjykim.

Apeli më tej ka theksuar se edhe pas hapjes së shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e shkallës së parë nuk arriti të vërtetojë motivin e kryerjes së veprës penale.

“Përkundër asaj që është bërë rihapja e shqyrtimit gjyqësor, megjithatë nuk ka mundur gjykata e shkallës së parë, që të vërtetoj motivin e kryerjes së veprës penale, i cili është me rëndësi sepse në pikën i të dispozitivit të aktgjykimit, nuk ka paraqitur kurrfarë motivi të kryerjes së veprës penale, andaj si i tillë dispozitivi ka mbetur i mangët”-thuhet më tej në arsyetim.

Sipas vlerësimit të kolegjit, aktgjykimi i shkallës së parë përfshihet edhe në shkelje të ligjit penal.

“Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, sipas ankesës së prokurorisë dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përfshihet me shkeljet e ligjit penal, të parapara në nenin 385 të KPPK, sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar në masë të duhur të gjitha elementet e ekzistimit të veprës penale, për të cilën e ka shpallur fajtor të akuzuarin, kurse nga rrethanat e kryerjes vije në përfundim se në këtë çështje penale është zbatuar ligji i cili ka qenë i aplikueshëm në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe gjykata e shkallës së parë ka vepruar në kuadër të kompetencës ligjore”-përshkruhet në arsyetim.

Në lidhje me ankesën për sanksionin penal,  Apeli nuk e ka shqyrtuar këtë çështje.

“ Kolegji ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljet e ligjit penal, si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, andaj në këtë drejtim nuk mund të vihet deri te përfundimi se në këtë çështje penale, vendimi për dënimin a ka qenë i drejtë apo jo i drejtë, pasi që shkeljet të cilat mendohet se janë kryer nga ana e gjykatës së shkallës së parë, janë të pa kalueshme për të vendosur për këtë bazë ankimore”-thuhet në arsyetim.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe çështja ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.

Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat Prokurorisë që të paraqesë provat e reja.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare – asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, Gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkuar me zvarritje të shumta.

Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Nga OAK ishte marrë vendim për këtë çështje, e avokatët ishin paralajmëruar se kush nuk e respektonte atë vendim do të përgjigjej për shkelje disiplinore.

Reagime të shumta për këtë vendim të OAK pati edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Deri te zhbllokimi i procesit erdhi pasi Oda e shfuqizoi vendimin e saj për moscaktim të avokatëve.

Edhe në këtë situatë prapë Gjykata nuk po arrinte të siguronte mbrojtjen e Gogajt, pasi avokatët që caktoheshin tërhiqeshin për arsye të ndryshme.

Gjykimi u zhbllokua javën e kaluar kur avokatja Sabrije Abazi pranoi ta mbronte Gogajn edhe pse ky i fundit nuk e pranonte atë.