Arsyet që çuan në shkarkimin e Agron Thaçit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të "Infrakos"

Të premten, bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti i ndërmarrjes “Hekurudhat e Kosovës – Infrakosi” e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Agron Thaçi.

Bordi largoi kryeshefin të cilin disa ditë më parë e kishte suspenduar për 6 muaj.

Në vend të Thaçit, si ushtrues detyre është emëruar Xhevat Ramosaj, deri tani zëvendëskryeshef i  ndërmarrjes “Infrakos”.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, sot u janë drejtuar qytetarëve përmes një video-messazhi.

Hajdari ka numëruar 7 gjetjet që kanë çuar në shkarkimin e Agron Thaçit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në “Infrakos”.

Arsyeja e parë ka qenë aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Prizrenit – Departamenti për Krime të Rënda për vepër penale keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Si arsye e dytë janë përmendur hetimet nga Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve të Rënda, për keqpërdorim të pronës së Hekurudhave të Kosovës Infrakos, në pronë të Stacioni i Trenit, Komuna Prishtinë.

Së treti janë numëruar shkeljet dhe keqmenaxhimi në patundshmëri, në procedura si dhe në dhënien me qira të pronave të “Infrakosit”.

Më pas është përmendur edhe borxhi prej 4 milionë euro i “Infrakos”-it ndaj “Trainkos”, Telekomit të Kosovës si dhe furnitorë tjerë siç janë qiramarrësit e pronave etj.

“Po ashtu Infrakosi ka borxhe në obligime tatimore ndaj Institucioneve të shtetit dhe obligime ndaj furnitorëve tjerë mbi 2.5 milionë euro. Nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaqi nuk janë marrë masat e duhura për shlyerjen e këtyre borxheve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Si arsye e pestë janë përmendur shkeljet dhe keqpërdorimet në punësime.

Sipas ministres në detyrë Rozeta Hajdari, punësimet nga Agron Thaçi janë bërë në kundërshtim me krijimin e kushteve të barabarta për punë dhe punësim si; punësimi dhe sistemimi i punëmarrësve jo sipas meritës por sipas lidhjeve miqësore e familjare etj.

“Po ashtu te disa zyrtarë nuk korrespodon vendi i punës (pozitës) që e mbajnë me kontratën që e kanë për punë (pozitë). Në konkursin e fundit të datës 16.01.2020 të shpallur për punësime (17 pozita), nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaçi, në kohën më të vështirë financiare të Infrakosit, ku Infrakosi nuk ka mjete të mjaftueshme për paga për stafin ekzistues e jo më të pranohen punëtorë të tjerë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Lista e të punësuarve në këtë konkurs në ndërmarrje tregon për parregullsi dhe nepotizëm, në procedura të rekrutimit, ku zyrtarët e Infrakosit kanë arritur të punësojnë të afërmit e tyre, për të mundësuar punësime të reja. Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaçi, gjatë rekrutimit e ka rritur numrin e pozitave pas datës së  konkursit, pa arsye dhe pa ecuri ligjore nga 17 pozita sa kanë qenë në konkurs, në fund të rekrutimit i ka pranuar në pune 27 pozita. Si dhe ka nënshkruar kontrata në mënyrë jo ligjore të këtyre punëtorëve të rinj, sepse kontratat për punëtorët e rinj nënshkruhen me një afat të caktuar të punës provuese e jo të nënshkruhet kontrata e përhershme”, vazhdon njoftimi.

Gjetja e gjashtë që ka çuar në shkarkimin e Agron Thaçit është mos transparenca rreth zbatimit të projektit- Rehabilitimi i pjesës jugore te linjës 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

“Ka ankesa nga Sindikata e Pavarur e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës Infrakos, për keqpërdorim dhe keqmenaxhim nga Kryeshefi Ekzekutiv z.Agron Thaçi, si në: Punësimi i tepërt në administratë, dhe jo vetëm, pa asnjë kriter, dhe nepotizëm, keqpërdorime në Sektorin e Patundshmërisë, ku është dëmtuar kompania në masë të madhe, Keqpërdorimi i mjeteve financiare përmes tenderëve në sektorë të veçantë, Keqpërdorimi i Projektit për rehabilitimin e Hekurudhës, si dhe mos pagesa e Trustit dhe Tatimit në paga e stafit të Infrakosit”, vazhdon gjetja e 7-të.