Arsyet pse u mor vendimi për dëbimin e Tienmu Ma

Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim – Divizoni për të Huajt kishte marr vendim për dëbimin nga Kosova të shtetasit amerikan Tienmu Ma.

Vendimi ishte marrë pasi i ishte refuzuar kërkesa për vazhdimin e lejes së qëndrimit në Kosovë.

Sipas dokumenteve që ka siguruar KALLXO.com, refuzimi i lejes së qëndrimit të Ma në Kosovë ishte pasi sipas Divizionit për të Huajt në MPB, Ma nuk kishte kompletuar dokumentacionin e kërkuar.

Sipas këtyre dokumenteve, kërkesa e shtetasit amerikan Ma u refuzua pasi ai, sipas MPB-së, nuk kishte përkthyer diplomën e tij, nga anglishtja në gjuhën shqipe.

Më pas, Tienmu Ma përmes avokatit të tij Tomë Gashi, ka paraqitur ankesë në shkallën e dytë, që është Komisioni i Ankesave për të Huajt.

Ky Komision gjithashtu e ka refuzuar ankesën e Tienmu Ma, duke e cilësuar si të pa bazuar.

Në dokumentet që ka siguruar KALLXO.com, shihet se në dokumentacionin e Tienmu Ma, është edhe diploma e tij e përkthyer nga anglishtja në shqip.

Për rastin e dëbimit të Tienmu Ma, ka folur në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ edhe Avokati i Popullit i posazgjedhur, Naim Qelaj.

Ai tha se vendimi i parë që ka marrë prej që ka marrë detyrën, është se ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që të pezullojnë vendimin për dëbimin e këshilltarit të ish kryeministrit, Albin Kurti.

“Ajo që më bindi që me e nënshkru kërkesën për pezullim, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme me kërkesën që vendimi për dëbim të pezullohet, ishte vendimi i MPB-së për pezullimin e gjithë procedurës për marrjen për leja dhe licenca për periudhën sa ekzistojnë masat kundër pandemisë, dhe me sa mora vesh ai vendim është në fuqi”, ka deklaruar.

Për amerikanin Ma ka pasur probleme me lejën e qëndrimit në Kosovë, ndërsa së fundmi Profesori nga Universiteti ‘Yale’, James Silk i është drejtuar kryeministrit Avdullah Hoti, ku ka thënë se Kosova mund të bëhet subjekt i një hetimi nga raportuesi special i OKB-së, rreth refuzimit të lejës së qëndrimit të Tienmu Ma në Kosovë.

Siç dihet Tienmu Ma, në raportin e tij për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga organet e rendit të Kosovës si të dyshuar për lidhje me Fetullah Gylenin, kishte konstatuar se ndër shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të tyre ishte pikërisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i MPB-së. Kujtojmë se raporti i Tienmu Ma për rastin e ‘gylenistëve’ kishte konstatuar 32 shkelje të të drejtave të gjashtë shtetasve turq.