Dosja e Prokurorisë - Veprimet inkriminuese të 11 të arrestuarve për ryshfet në subvencione

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit Sadat Shkodra, Luan Statovci, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami- Sejdiu, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve.

Sipas prokurorisë  janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, për shkak se ekziston rreziku i arratisjes, se të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë, si dhe që mund të ndikojnë në procedurë po qe se të njëjtit lihen në lirë.

Prokuroria prentendon se të pandehurit kanë rrezik të ikjes duke marrë për bazë rrezikun se nëse të pandehurit do të gjenden në liri, atëherë do të mund të ndërmarrin veprime në asgjësimin e provave apo fshehjen e tyre duke marrë për bazë sepse shumica prej tyre njihen në mes veti që një kohë të gjatë dhe mund të koordinohen në mes veti për gjetjen dhe zhdukjen e provave materiale, e të cilat Prokuroria ende nuk i ka sekuestruar.

Tutje prokuroria pretendon se ekziston rreziku se po që se të pandehurit gjenden në liri, atëherë do të ndikojnë të dëshmitarë të cilët kanë dëshmuar më herët në Polici për të ndryshuar deklaratat, po ashtu mund të ndikojnë të të dëmtuarit, e të cilët një pjesë e tyre ende nuk janë intervistuar në organet e zbatimit të ligjit, e që pritet shumë shpejtë të kryhet për arsye se edhe tani janë duke u ndërmarr veprime për kontaktimin e tyre.

Më pas thuhet se nëse të pandehurit do të gjenden në liri ata do të ndikojnë të njëri tjetri edhe pse janë të pandehur me qëllim të kordinimit në mes veti sepse një pjesë e tyre ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje në Policinë e Kosovës.

Tutje thuhet se ekziston mundësia që të njëjtit mund të i sinkronizojnë mbrojtjet e tyre, e veçanërisht duke marrë për bazë hierarkinë institucionale, ku disa prej tyre janë vartës të zyrtarëve të lartë, të njëjtit mund të jenë të ndikuar nga bashkëpjesëmarrësit në kryerjen e veprave penale, ku disa prej tyre janë në anë të ndryshme edhe si ryshfet dhënës edhe pse janë persona zyrtarë.

“Duke marrë për bazë veprat penale për të cilat dyshohen të pandehurit siç janë Keqpërdorimi i pozitës marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit dhe kryerja e këtyre veprave në cilësinë e personave zyrtar të cilët kanë pas për detyrë për të kryer punën e tyre në mënyrë të drejtë, të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshëm duke përfituar vlerat të mëdha të parave dhe duke i dëmtuar përfituesit të subvencionet të cilat i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar subvencionet të cilët Republika e Kosovës iu ka siguruar fermerëve me qëllim të zhvillimit të bujqësisë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.