Arsyeja pse PDK e lëshoi mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, sipas Kusari - Lilës

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i është përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahirit, pasi ky i fundit e ka akuzuar për ofendim.

Kusari-Lila tha se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ka kërkuar nga deputetët e PDK-së, që të kenë kujdes me gjuhën parlamentare.

“Kam kërkuar nga deputetët e PDK që të kenë kujdes në gjuhë parlamentare, që të mos përsëriten situatat ku jemi ofenduar në baza gjinore, por gjithashtu edhe komentet dhe agresiviteti në dalje të PDK ndaj ministres së jashtme, ky koment ka bërë që dy deputetët e PDK-së të dalin nga mbledhja”, tha Kusari-Lila.

“Përkundër dallimeve politike, nuk bën që të lëshohemi në ofendimeve dhe në gjuhë të tillë parlamentare, në cenim të integritetit në vendin e punës. Unë jam ndier shumë keq, kur kam dëgjuar ato ofendime dhe kategorizime”.

Kusari-Lila po ashtu para gazetarëve ka bërë të ditur se Kryesia e Kuvendit ka shqyrtuar procedimin e Ligjit për automjete, që synon heqjen e monopolit në homologim.

“Kryesia ka shqyrtuar procedimin e Ligjit për automjete, Ligj ky që synon heqjen e monopolit të homologimit të automjeteve. Është i njëjti draft që synon heqjen e monopolit, udhëzimi administrativ dhe marrëveshja e viteve të kaluara, bie ndesh me ligjin për konkurrencës dhe të prokurimit publik”, tha Kusari-Lila.

Ndërkohë më herët, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri tha se partia e tij ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, për shkak të ofendimeve, sipas tij, të deputetes Kusari-Lila.

Tahiri: Po vazhdon fryma e njejtë për ndaljen e fjalës së opozitës