Arsyeja pse kryeministri Kurti e ktheu Ilir Murtezajn në krye të ATK-së

Ilir Murtezaj është rikthyer në krye të Administratës Tatimore të Kosovës disa muaj pasi ishte përballur me shkarkim, suspendim dhe në fund largim nga shërbimi civil.

Institucioni kryesor në vend për mbledhjen e tatimeve ishte pa zot shtëpie për disa muaj më radhë pas disa vendimeve të njëpasnjëshme për udhëheqësin e ATK-së.

Ilir Murtezaj ishte larguar nga shërbimi civil me vendim të Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë të udhëhequr nga ish ministri Agim Veliu.

Ky komision kishte vlerësuar se Ilir Murtezaj kishte shkelur detyrat e punës më rastin e miratimit të rregullores së brendshme të ATK-së, shpalljen e konkursit për tri pozita të zëvendësdrejtorëve dhe lëvizjet e shpeshta të stafit pa procedurë transparente.

Ndaj këtij vendimi drejtori Ilir Murtezaj ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës me pretendimet se largimi i tij ishte në kundërshtim me ligjin.

KPMSHC vlerësoi se vendimi i nxjerrë nga Këshilli ishte në kundërshtim me ligjin për faktin se nuk ishte nxjerrë brenda afatit të paraparë ligj, pra nuk ishte nxjerrë brenda afatit 30 ditor.

Ky Këshill ka vlerësuar edhe se vendimi për largimin e Ilir Murtezajt nga shërbimi civil, ishte i kundërligjshëm edhe për faktin se Këshilli për Disiplinë kishte konstatuar se Ilir Murtezaj kishte shkelur detyrat e ligjit për zyrtarët publik, ligj i cili në atë kohë nuk ishte në fuqi.

KPMSHC nuk ka hyrë në vlerësim të provave nëse Mutezaj ka kryer shkelje të detyrave të punës mirëpo ka vlerësuar se akti administrativ është i paligjshëm për faktin se nuk është marrë brenda afatit ligjor.

Përmes këtij vendimi KPMSHC urdhëroi ministrin e Financave që të kthejë në krye të ATK-së, drejtorin Ilir Murtezaj.

Ky vendim u zbatua me vendim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe sot me datë 18 maj 2021, drejtori Murtezaj e rifilloj udhëheqjen e ATK-së.

Kallxo.com ka provuar të kontaktoj me drejtorin Murtezaj për këtë vendim mirëpo i njëjti nuk e ka hapur telefonin.

Para se të largohej nga shërbimi civil, drejtori Murtezaj ishte shkarkuar nga tashmë ish kryeministri Avdullah Hoti në tetor të vitit 2020.

Sipas ish kryeministrit Hoti vendimi për shkarkimin e tij kishte ardhur për shkak të paaftësisë, sjelljes së keqe dhe shkeljes së ligjit nga Murtezaj me rastin e nxjerrjes së një rregulloreje brenda ATK-së.

Murtezaj ishte kthyer në vendin e punës pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës kishte konstatuar shkelje në mënyrën e shkarkimit të tij.

Sipas KPMSHC-së vendimi i Hotit për shkarkimin e drejtorit të ATK-së nuk ishte i bazuar pasi nuk ishte përmbushur asnjë nga kushtet e parapara për shkarkim në Ligjin për zyrtarët publik.

Pas këtij vendimi Murtezaj ishte kthyer në punën me datë 8 janar 2021, mirëpo në ditën e dytë të punës pas rimarrjes së detyrës i njëjti u suspendua për t’u larguar më pas nga shërbimi civil si masë disiplinore ndaj tij.