Arstistë, sportistë, luftëtarë e heronj u nderuan sot në Kuvendin e Kosovës

12 fëmijë 12 vjeçarë u rreshtuan në rendin e parë të ulëseve të Kuvendit të Kosovës.

Këta fëmijë lindëën në të njëjtin vit me Republikën e Kosovës, gjersa sot u festua 12 vjetori i shpalljes së Pavarësisë.

Kuvendi i Kosovës tashmë në legjislaturën e shtatë u mblodh sot për një seancë solemne për shënimin e këtij përvjetori.

Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit iu drejtua deputetëve dhe mysafirëve të shumtë me një fjalë rasti.

Osmani përmendi fëmijët e ftuar në sallë, për të cilat tha se kanë përgjegjësi si politikanë.

“Sot, Republika jonë është 12-vjeçe. Ajo e ka afërsisht moshën e këtyre 12 fëmijëve, fëmijëve të pavarësisë, të cilët i shihni këtu dhe të cilët ju ftoj t’i nderojmë. Ata kanë lindur me shtetin dhe janë rritur krahas shtetit, të cilin po e ndërtojmë përditë e ngapak, duke u siguruar që Kosova të jetë strehë e sigurt dhe vend ku këta fëmijë do ta jetojnë të tashmen dhe ta ndërtojmë të ardhmen e tyre. Këta fëmijë, sot ndoshta nuk mund ta kuptojnë plotësisht peshën e vendimeve dhe të veprimeve tona politike, por nesër do të mund t`i gjykojnë ato”, tha ajo.

Osmani nderoi xhudistet Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova që së bashku sollën shumë medalje përfshirë medaljen e artë olimpike për Kosovën.

“Xhudistët na kanë bërë të qajmë nga gëzimi dhe të buzëqeshim nga lumturia. Krahas tyre djelmoshat e kombëtares tonë e  kan forcuar imazhin tonë në botë”, tha Kryeparlamentarja.

Ajo tha se duhet nderuar edhe artistët shqiptarë që po e nderojnë vendin në skenat e huaja si dhe sportistët në kombëtaren e Kosovës që sipas saj po forcojnë imazhin e Kosovës në botë.

Osmani kërkoi nderimin e deputetëve për policët e rënë në detyrë dhe fëmijët e tyrë që ishin në sallë.

Ajo lartësoi figurin e ish- Presidentit Ibrahim Rugova për shtetndërtimin e Kosovës.

Osmani kërkoi nderim edhe për ish-komandantin e UÇK-së, Adem Jashari së bashku me familjen e tij që u sakrifikua në luftën e Kosovës për liri.

Aktivitetet për shënimin e 12 vjetorit të Pavarësisë kanë filluar nga ora 8 me ngritjen simbolike të flamurit të Kosovës.